Socialistët nuk i gjetën me vend argumentet e Presidentit Ilir Meta në ligjin që rregullonte mënyrën se si duhet të shfrytëzohet vija bregdetare shqiptare nga mjetet lundruese që shërbejnë për argëtim. Madje, mënyra si vepron Meta me ligjet, u konsiderua e rrezikshme nga Ilir Beqja në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.
“Publikisht i bëj thirrje presidenti të mos shkatërrojë procesin ligjvënës në Shqipëri. E shoh shumë të rrezikshme, do na hap telashe presidenca në Shqipëri”, tha Beqja.
“Presidentin e kemi fatmirësisht promovues por vetëm atij malor, zoti Klosi mund ti jap një certifikatë mirënjohjeje,. E paska sëmundje institucioni..ta rrëzojmë dekretin….”, tha Fadil Nasufi.
Ky komision rrëzoi dekretin e Presidentit, për ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar”.
Disa orë më vonë nga kjo mbledhje kreu i shtetit ktheu në tjetër ligj në Parlament. Në ligjin “Për përmirësimin e zonave të biznesit”, që ka për qëllim krijimin e një mekanizmi ku poseduesit e njësive tregtare, të nxiten të marrin pjesë në zhvillimit e zonës përmes kontributeve private, Presidenti gjen shumë parashikime që shkelin Kushtetutën. Sipas Presidentit, ky ligj krijon detyrime rënduese për biznesin e vogël.
“Ky ligj, në tërësinë e tij, përmes parashikimeve për mënyrën e krijimit, organizimit dhe të imponimit të organizatës BID ndaj zotëruesve të njësive ndërtimore në një zonë të caktuar, krijon detyrime rënduese për biznesin e vogël, duke cenuar lirinë e pronës, lirinë ekonomike”
Një argument i dytë i Presidentit është mungesa e kontrollit për fondet publike që i kalojnë privatëve.
“Ky ligj parashikon si burim financimi transfertat e fondeve publike, që bëhen nga qeverisja vendore ose qendrore, për një zonë BID. Në këtë rast, fondet publike i transferohen një njësie private për t’u administruar në kundërshtim me çdo parashikim ligjor në fuqi”.
Meta në fund, u kërkon deputetëve që të lexojnë me vëmendje ligjin dhe të mbajnë në konsideratë nevojat e biznesit dhe jo interesin e pakicave që duan ta deformojnë biznesin lokal./abcnews.al