Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Meta gjobitet me 567 milionë dollarë për rrezikimin e fëmijëve në internet

schedule15:21 - 7 Gusht, 2026

schedule 15:21 - 7 Gusht, 2026

Një gjykatë në shtetin amerikan të New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë 567 milionë dollarë shtesë për dështimin në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në platformat e saj, duke e çuar vlerën totale të gjobave në 942 milionë dollarë. Bëhet fjalë për gjobën më të madhe të vendosur ndonjëherë ndaj kompanisë për çështje që lidhen me sigurinë e të miturve.

Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke krahasuar ndikimin e rrjeteve të saj sociale me ndotjen e ajrit. Sipas tij, kompania duhet të financojë një fond të posaçëm për trajtimin dhe parandalimin e dëmeve që platformat e saj u shkaktojnë fëmijëve.

Në vendim thuhet se algoritmet e Facebook-ut dhe Instagram-it kanë rekomanduar përmbajtje të dëmshme për përdoruesit e mitur, duke i ekspozuar ata ndaj materialeve me përmbajtje seksuale dhe kontakteve me persona që synojnë shfrytëzimin e fëmijëve.



Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Threads, njoftoi se do ta ankimojë vendimin.

“Nuk pajtohemi me këtë vendim. Ne vazhdojmë të investojmë në sigurinë e përdoruesve dhe mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e të rinjve në platformat tona”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.

Përveç gjobës financiare, gjykata urdhëroi Metën të zbatojë masa të reja sigurie, duke përfshirë ndalimin e kontakteve mes të rriturve dhe përdoruesve nën moshën 18-vjeçare, kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale për të miturit dhe heqjen e funksioneve që mund të nxisin varësinë, si numri i pëlqimeve (“likes”).

Sipas vendimit, rreth 420 milionë dollarë do të përdoren për financimin e programeve të trajtimit psikologjik dhe shëndetit mendor për fëmijët e prekur, ndërsa pjesa tjetër do të investohet në programe edukimi dhe ndërgjegjësimi për shkollat, prindërit dhe profesionistët e shëndetësisë.

Ky është rasti i parë në Shtetet e Bashkuara ku një gjykatë e cilëson një kompani të rrjeteve sociale si “shqetësim publik” për dëmet që u shkakton fëmijëve. Ndërkohë, Meta përballet edhe me mijëra procese të tjera gjyqësore në SHBA për akuza të ngjashme që lidhen me sigurinë dhe privatësinë e të miturve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!