Meta e Duka kokë më kokë: Nuk ka vaksinë më të mirë se sporti

schedule11:39 - 7 Maj, 2020

schedule 11:39 - 7 Maj, 2020

Futbolli dhe çdo sport tjetër në vend është ndalur. Në Europë dje Gjermania vendosi përfundimisht të riniste kampionatet, prej 15 majit, që është shumë pranë. Sigurisht bëhet fjalë për t’u luajtur pa tifozë dhe duke ndjekur rregulla strikte.

Të njëjtën gjë duan të bëjnë edhe në vendin tonë dhe FSHF, referuar modelit gjerman, ka hartuar edhe një protokoll sanitar, që të minimizojë përhapjen e koronavirusit dhe të mund të luhet futboll, pa tifozë.

Ditën e sotme, kreu i FSHF, Armand Duka, i ka vënë në dispozicion presidenti Ilir Meta edhe protokollin sanitar. Ditë më parë ka pasur edhe një shkresë zyrtare për: Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Presidenti Meta, pas takimit me Dukën nuk ka ngurruar të thotë edhe ai fjalën e tij, që në njëfarë mënyre është një mesazh edhe për qeverinë: “Kënaqësi të prisja sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armand Duka, i cili më njohu me protokollin sanitar të përgatitur nga ekipi mjekësor i FSHF-së, sipas udhëzimeve të UEFA-s, për rifillimin e aktiviteteve futbollistike sa më parë të jetë e mundur.

Besoj se me përpjekje dhe mirëkuptim, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend. Nuk ka vaksinë më të mirë për mbrojtjen e shëndetit se sa sporti”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!