Kreu i Shtetit Ilir Meta firmosi paraditen e sotme shkarkimin e 7 prej 8 ministrave të propozuar nga kreu i ekzekutivit Edi Rama. Presidenti Meta nuk firmosi shkarkimin e ministrit të jashtëm në detyrë Ditmir Bushati si dhe dekretet për të emëruar ministra: Besa Shahinin, Anila Denajn, Genti Cakën, Elva Margaritin dhe Belinda Ballukun, të cilët nuk vijnë nga radha e deputetëve të mazhorancës. Ndërkohë që firmosi emërimet e Erjon Braçes, Eduard Shalsit, Bledi Çuçit dhe Elisa Spiropalit.
Pas mbërritjes në Presidencë të emrave të propozuar nga kryeministri Rama për ministrat e rinj të kabinetit të tij, presidenti Ilir Meta nuk ka vonuar dekretet që finalizojnë rrokadën që shefi i qeverisë njoftoi në 24 dhjetor gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Gjashtë janë ministrat e shkarkuar me dekret presidencial, nga 7 të propozuarit e Kryeministrit. Sa i përket emërimeve, Kreu i Shtetit ka dekretuar vetëm 4 ministra nga 9 të propozuar në total.
Ilir Meta ka dekretuar Blendi Çuçin në vend të Niko Peleshit në postin e ministrit të Bujqësisë; Eduard Shalsi zëvendëson Sonila Qaton si ministër i sipërmarrjes, Erjon Braçe Senida Mesin në postin e zëvendëskryeministrit dhe Elisa Spiropali shton karrigen e ministres për marrëdhëniet me parlamentin në radhët e kabinetit qeveritar.
Ditmir Bushati është i vetmi ministër i pa shkarkuar ende me dekret presidencial, duke lënë të mendohet se precedenti i dy muajve më parë, i shënuar nga kreu i shtetit Meta kur refuzoi të dekretojë si ministër të Brendshëm Sandër Lleshajn, do të përsëritet.
Njëkohësisht, janë Besa Shahini, Anila Denaj, Genti Caka, Elva Margariti dhe Belinda Balluku emrat e 5 të propozuarve për ministra, ende të pa-dekretuar nga kreu i shtetit Ilir Meta.
Shkarkimet dhe emërimet e dekretuara do të zyrtarizohen kur Kuvendi t’i votojë dekretet e presidentit, brenda 10 ditëve nga shpallja e tyre, si përcakton Kushtetuta.
Njëkohësisht, bazuar në të njëjtin nen të Ligjit themeltar, atë 98, presidenti i Republikës ka afat 7 ditor për dekretimin e ministrave, nga mbërritja e porpozimeve nga kryeministri.
Tashmë pritet lëvizja e kreut të shtetit Meta, nëse do të finalizojë shkarkimin e ministrit të jashtëm Ditmir Bushati dhe emërimin e 5 të propozuarve për ministra, apo do të përsërisë precedentin “Lleshaj” për të cilin Ilir Metës iu desh më shumë kohë se afati i paracaktuar në Kushtetutë për të krijuar bindjen e nevojshme për emërimin e tij si ministër i brendshëm.
Edhe pse mos-dekretimi i Lleshajt, për presidentin lidhej me faktin se ai duhej fillimisht të hiqte dorë nga detya e tij ushtarake, për të mos rënë ndesh me parashikimin Kushtetues që i ndalon ushtarakët e shërbimit aktiv të kandidojnë apo zgjidhen si ministra apo deputetë, ajo që bie në sy në këtë rast është se emrat e pa-dekretuar ende në postet e ministrave të rinj, janë ata të cilët nuk kanë një të kaluar politike apo publike, duke vështirësuar kështu mesa duket vlerësimin dhe krijimin e bindjes që kreut të shtetit i duhet për të konfirmuar të propozuarit.
Nuk dihet ende arsyeja e mos dekretimit të shkarkimit të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati edhe pse i propozuari për t’a zëvendësuar në karrigen e ministrit është edhe emri më i diskutuar në opinionin publik lidhur me përputhshmërinë me postin, Genti Caka, sot zëvendës ministër i jashtëm dhe i Çështjeve të Europës.
Kujtojmë se në mars të 2018-ës presidenti Ilir Meta i dha autorizim ministrit të jashtëm Ditmir Bushati që të lëshonte plotfuqishmërinë për grupin negociator në negociimin e marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë. Nuk dihet ende nëse mos-dekretimi i shkarkimit të ministrit Bushati lidhet me situatën në të cilën ndodhet diplomacia shqiptare sa i përket kësaj marrëveshjeje, por 12 janari shënon afatin përfundimtar për dekretimin ose jo të propozimeve të kryeministrit Rama. /abcnews.al