Meta dekreton 4 ministrat e rinj

schedule20:08 - 9 Janar, 2019

schedule 20:08 - 9 Janar, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar katër nga pesë ministrat jo deputetë, të propozuar nga kryeministri Rama për kabinetin e tij. Mbrëmjen e të mërkurës, kreu i shtetit dekretoi Anila Denajn, si ministre e Financave e Ekonomisë; Besa Shahinin, si ministre e Arsimit, Sportit e Rinisë; Elva Margaritin, si ministre e Kulturës dhe Belinda Ballukun, si ministre e Infrastrukturës e Energjisë.

Në dekretet e presidentit bie në sy mungesa e një dekreti për emrin e Gent Cakës, i propozuar nga kryeministri si ministër i Jashtëm, e njëkohësisht edhe dekreti i shkarkimit të ministrit në detyrë Ditmir Bushati. Presidenti Meta e ka justifikuar mosdekretimin e shkarkimit të Bushatit, me argumentin se vendi nuk duhet të qëndrojë asnjë sekondë pa ministër të Jashtëm.

Kreu i shtetit dekretoi menjëherë ministrat që mbanin mandatin e deputetit, Erion Braçe, si zv/kryeministër, Bledi Çuçi, si ministër i Bujqësisë, Eduard Shalsi, si ministër për Sipërmarrjen dhe Elisa Spiropali, si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin. Për emrat e tjerë të propozuar, presidenti kishte bërë të ditur se po bënte verifikimet pranë institucioneve. Në pritje mbetet propozimi për ministrin e Jashtëm, Genti Cakaj, për të cilin ka patur debat publik mbi moshën dhe eksperiencën profesionale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!