“Meta bllokoi projektin në Vlorë”! Presidenti-Ramës: S’do të lejojmë të shpërdorosh fondet

schedule20:26 - 4 Janar, 2021

schedule 20:26 - 4 Janar, 2021

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur Edi Ramës përmes zëdhënësit Tedi Blushi pas akuzave që kryeministri bëri sot nga Vlora se Ilir Meta bllokoi projektin në qytetin bregdetar. E ndërsa sqaron ngërçin për marrëveshjen e huasë me fondin saudit, Meta akuzon se Rama kërkon ta përfshijë edhe atë në shkelje. Kreu i shtetit thotë se nuk do të ketë asnjë tolerim.

Pas inskenimeve dhe deklaratave të papërgjegjshme, të bëra sot në Vlorë, nga Kryeministri ende në detyrë, për nevoja të propagandës së tij elektorale, jemi të detyruar të bëjmë publik qëndrimin zyrtar të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta: “Mbi përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e ‘Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)’”.

Nga kjo letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, evidentohet qartë se Presidenti Meta në mënyrë të përsëritur ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.

Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces.

Presidenti Meta, sikundër ka bërë publike, është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës.

Presidenti Meta, garanton qytetarët e Qarkut të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se është i vendosur të mbrojë interesin publik dhe njëkohësisht do të respektojë kërkesat e tyre për investime publike, pa i lënë shteg Kryeministrit ende në detyrë, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale” deklaron Meta.

Por cfarë tha Edi Rama?

Kryeministri ishte sot në Vlorë ku ka parë nga afër nisjen e punimeve të një projekti të ri që do të lidhë Ujin e Ftohtë me Radhimën e Orikumin.

Kreu i qeverisë, akuzoi presidentin Ilir Meta se ka bllokuar këtë projekt. “Është fakt që nga fillimi i nëntorit presin plotfuqinë, një autorizim formal nga presidenti, pasi kemi bërë të gjithë negociatën me fondin saudit. Dhe faktikisht duhet ndërtim total. Në momentin që nuk i jepet kjo fuqia ne nuk e realizojmë dot”, u shpreh Rama.

S’kam dashur të bëj zhurmë për këtë punë. Por tani e merr vesh e gjithë Vlorë që e ka bllokuar Ilir Meta. Është një bllokim absurd i një projekt”, shtoi kryeministri./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!