Mësuesja që qëndis kostume popullore: Zanatin e kam trashëguar nga nëna, po ua mësoj vajzave të reja

schedule20:11 - 10 Qershor, 2023

schedule 20:11 - 10 Qershor, 2023

Ka vite që kujdeset dhe ruan vlera të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Për mbi dy dekada, ditët e Elidës nga Kruja ndahen mes shkollës ku jep mësim dhe punishtes së saj ku qëndis kostume popullore.

Profesionin dhe pasionin nuk i ndan dot ndaj ka zgjedhur t’i ushtrojë të dyja.

“Ky është i gjithë pasioni im, këtu është e gjithë jeta ime. Nëse dikush do më pyeste, në ndan ndaj profesionin me pasionin, unë nuk i ndaj, por i kam lidhur të dyja bashkë”, tha ajo.

Zanatin ja ka lënë trashëgim nëna e saj. Thotë se edhe gjyshja punonte në tezgjah e realizonte veshje te ndryshme popullore.

Çdo kostum që del nga dora e saj bazohet ne modelet e vjetra të kostumeve tradicionale krutane, por edhe në veshjet shqiptare të të gjitha trevave.

Megjithate në disa raste mundohet t’i pershtatet edhe kohës. Per t’i bërë më tërheqëse për vajzat e reja në disa veshje ka shtuar aksesorë e disa të tjera i ka çliruar nga mëngët e gjata duke i bërë me modern, por duke u kujdesur gjithmonë të ruajë elementet e traditës.

Çdo kostum punohet me dorë. Kërkohet kohë dhe shumë durim. Elida ka punësuar edhe zonja të tjera, kontributin e të cilave ajo e vlerëson shumë.

Në pazarin e Krujës ka një dyqan që e ka kthyer në atraksion turistik. Fton aty shqiptarë e të huaj dhe i njeh me trashëgiminë kulturore.

Për të mbajtur gjallë traditën që vitet po e zbehin, Elida po ua meson këtë zanat edhe vajzave të reja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!