Mësuesi i virtuozëve shqiptarë/ Tanto: Nxënësit e mi në filarmonitë e Vjenës, Milanos dhe Amsterdamit

schedule20:05 - 23 Dhjetor, 2023

schedule 20:05 - 23 Dhjetor, 2023

Ishte vetëm 6 vjeç, kur prindërit, veçanërisht e ëma, vendosën që fëmija i katërt i familjes Tanto të bëhej artist. Ka qenë tenori Xhoni Athanas, fqinj i familjes, ai që u rekomandoi që Kostika të zgjidhte violinçelin. Konkuroi në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe fitoi.

Ishte 7 vjeç kur u vendos në konvikt dhe ishte e para herë që ishte larguar nga prindërit. Pas një muaji vendos të “arratiset” nga konvikti dhe të kthehet pranë familjes, por duke mos hequr dorë nga violinçeli.

“Ndodhi një çudi sepse nuk kam ndenjuar shumë dhe ashtu i vogël siç kam qenë, jam nisur nga Rruga e Kavajës për të vajtur te Rruga e Elbasanit vetë, 7-vjeçar, që të vija në Korçë. Aty kam gjetur një shofer që nuk më kundërshtoi që të vija në Korçë dhe erdha në Korçë, nuk shkova më në lice, hyra në liceun e Korçës.”

Prej këtij rrugëtimi të dytë drejt Liceut Artistik, jeta e Kostikës lidhet pazgjidhshmërisht me violinçelin. Pas përfundimit të studimeve, emërohet instrumentist në Teatrin e Operas dhe Baletit, por pas dy vitesh sipas emërimeve të kohës, transferohet në qytetin e lindjes.

“Në fund të mbarimeve të studimeve, ishin të sigurt që do të na mbanin të gjithëve. Në fakt, nuk na mbajtën, na mbajtën vetëm mua dhe violinistin.”

Por shpesh herë, rrjedha e jetës nuk vazhdon sipas ëndrrave. Kostika emërohet profesor i violinçelit në liceun “Tefta Tashko Koço”, duke vijuar deri në ditën kur doli në pension.

Kostika punoi me shumë studentë, që sot i ke në orkestra filarmonike më të njohura të botës, si në filarmoninë e Vjenës, ate të Amsterdamit, Milano, Bukuresht dhe gjithandej.

Sot Kostika drejton një orkestër harqesh, me një kalendar të pasur koncertesh dhe mbetet mjeshtri i violinçelit, nga mësimdhenia dhe dirigjimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!