Në celularët e prindërve të nxënësve të shkollës jopublike “Omiros” në Korçë ka mbërritur një mesazh nga drejtoria e shkollës që i ka alarmuar të gjithë, pasi një arsimtar ka rezultuar me koronavirus.
Abcnews.al mësoi se bëhet fjalë për një mësues grek. Ai ndodhet në Greqi dhe po mjekohet atje. Gazetarja e Abc News, Lediona Xheladinaj është prind i një prej nxënësve dhe pas lajmit ajo dhe familja e saj u vëtëkarantinuan. Xheladinaj raportoi se është skandaloze që prindërit dhe nxënësit njoftohen 4 ditë me vonesë nga momenti kur arsimtari ka dalë pozitiv.
Ndërkohë, sa i përket ngjarjes ka reaguar së fundmi edhe shkolla në fjalë.
Me anë të një deklarate zyrtare, shkolla “Omiros” thotë se në fakt arsimtari mund të jetë infektuar pas mbylljes së shkollave në vend.
Në deklaratë, Drejtoria e Shkollës sqaron se kanë vepruar menjëherë “ me përgjegjësi të plotë dhe sipas udhëzimeve të dhëna nga institucionet përkatëse të Republikës së Shqipërisë.”



