Mësues shqiptarë në Greqi/ Flet Dhaskali: Interesi i prindërve për gjuhën shqipe i lartë, është shtuar numri i nxënësve

schedule17:30 - 4 Nëntor, 2024

schedule 17:30 - 4 Nëntor, 2024

Kryeministri Edi Rama e nisi takimin e tij me shqiptarët në Selanik duke paraqitur 8 nga 50 mësuesit e gjuhës shqipe, të cilat do të japin mësim në Selanik. Ai njoftoi se Ministria e Arsimit në Shqipëri do të lidhë kontratë për tu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në Greqi

Lidhur me këtë nismë ka folur në një lidhje me Skype nga Athina, për “Ballkan Update” mësuesja e gjuhës shqipe, Irma Dhaskali, e cila ka thënë se prindërit kanë shumë dëshirë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën tonë.

Ajo theksoi se është shtuar shumë numri i nxënësve në këto shkolla dhe mësueset kanë vazhduar pa ndërprerje

 “Unë kam disa vite që punoj dhe jam së bashku me koleget e mia, që zhvillojmë mësimet në ambientet e organizatës ‘Jeta’. Kemi një vit që jemi në gjimnazin ndërkulturor në qendër të Athinës dhe kemi një ndihmesë shumë të madhe nga presidentja e organizatës, zonja Elona Kataro dhe tani gjuha shqipe është shumë e rëndësishme. Ne duhet që ta mësojmë gjuhën te fëmijët e brezit të dytë dhe pastaj më vonë do të vazhdohet kjo. Ashtu siç ka ndodhur te arbëreshët e Italisë dhe te arvanitasit këtu në Greqi.

Faktikisht, fëmijët kanë dëshirë shumë të madhe që të mësojnë gjuhën shqipe, gjithashtu shohim dhe interesin e tyre. Ne jemi të motivuar nga dëshira e tyre dhe ndaj vazhdojmë dhe kemi ecur. Edhe këtë vit është shtuar shumë numri i nxënësve në këto shkolla. Këtë nismë që unë kam filluar do ta vazhdojë pa ndërprerë, nëse do të paguhemi do të jetë një vlerësim dhe stimulim për ne, sepse ne gjatë javës punojmë për të mbajtur familjen dhe të shtunës i jemi përkushtuar mësimit të gjuhës shqipe te fëmijët”, u shpreh Irma./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!