FIFA ka përcaktuar tre lojtarët që do të garojnë për çmimin e lojtarit më të mirë në botë. Favorit është Luka Modriç, ndërsa jashtë konkurrimi mbeti Lionel Messi.
Tashmë është zyrtare.
Ashtu si në konkurrimin për lojtarin e vitit në Europë, Lionel Messi mbeti jashtë.
Është hera e parë që nga viti 2007 që superylli i Barcelonës nuk përzgjidhet, ndërsa në garë do të jenë Luka Modriç, Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah.
Kapiteni i Kroacisë u vlerësua ashtu si nga UEFA, për kontributin e jashtëzakonshëm që dha për ekipin kombëtar, duke e udhëhequr deri në finalen e Kupës së Botës.
Po ashtu, edhe për paraqitjet e tij me Realin e Madridit, duke dalë kampion i Europës.
Cristiano Ronaldo përfshihet po ashtu në këtë garë, duke vazhduar të jetë çdo vit që nga 2007-a, pra duke lënë prapa Messin.
Ai ishte shënuesi kryesor i Realit që doli kampion i Europës, duke shënuar 15 gola, dhe për më tepër realizoi edhe 4 herë në Botërorin rus.
Mohamed Salah, ndërkaq, është një emër që shkëlqeu sidomos sezonin e fundit me Liverpool-in dhe me Egjiptin, duke arritur finalen e Championsit dhe duke qenë në fazën finale të Kupës së Botës.
Ashtu si në garën për çmimin e lojtarit më të mirë në botë, favorit cilësohet Luka Modriç, ndërsa nuk dihet nëse Ronaldo do ta respektojë ceremoninë apo do ta braktisë, siç bëri me atë të UEFA-s.
Përsa i përket lojtares më të mirë femër të botës, FIFA ka përzgjedhur treshen e përbërë nga Ada Hegerberg e Norvegjisë, Xhenifer Maroshan e Gjermanisë, dhe Marta e Brazilit.
Marta është edhe rekordmene me 5 çmime të fituar në karrierë./abcnews.al