Viti i ri akademik në të gjithë botën nisi me udhëzime të reja sa i përket pandemisë së koronavirusit.
Në disa shtete, përpara se nxënësit të futen në klasa bëhet kontrolli i temperaturës, janë shpërndarë dezifektues për duart si dhe mbajtja e maskës është e detyrueshme. Në Izrael, nxënësit u testuan përpara fillim të shkollës.
“Të gjithë fëmijët në shkollën tonë kryen testin e shpejtë për koronavirusin. Ky test nuk është i detyrueshëm, por është diçka që ne u kërkojmë prindërve të bashkëpunojnë. Jemi me shpresë se mund ta fillojmë vitin akademik dhe të gjithë të jenë të shëndetshëm dhe të sigurt”, thotë Uri Perelman, drejtor i një shkolle në Izrael.
“Ne bëmë testin kundër koronavirusit në shtëpi dhe doli negativ. Kisha një problem me djalin e madh, pasi ai kishte frikë të bënte testin. Mori pak kohë për ta bindur atë”, thotë Michal Orgaz, e cila ka dy fëmijë në shkollë.
Në Meksikë, mijëra shkolla kanë hapur dyert për më shumë se 30 milionë nxënës. Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar që të kontrollohet çdo ditë temperatura për nxënësit, të mbajnë maska si dhe kanë shpërndarë dezinfektues për duart.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbyllja e shkollave vitin e kaluar për shkak të pandemisë preku rreth 660 milionë nxënës.
“Fëmijët janë prekur ndjeshëm nga pandemia, si në aspektin e arritjeve të tyre arsimore po ashtu edhe nga mungesa e socializimit. Ne jemi shumë të shqetësuar për ndikimin që ka patur pandemia në shëndetin mendor të fëmijëve”, thotë Dr. Natasha Azzopardi-Muscat nga Organizata Botërore e Shëndetësië.
Në Francë, qeveria bëri thirrje për kujdes pasi 12 milionë nxënës u kthyen në shkollë këtë muaj.
“Nisja e sezonit të ri mësimor mund të shkaktojë një rritje të infektimeve, kështu që ne duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm. Ne duhet të vazhdojmë fushatën e vaksinimit sepse vaksina mbetet një mjet i rëndësishëm që ne kemi në dorë për të kaluar krizën”, thotë Gabriel Attal, zëdhënës i qeverisë francize.
Edhe në Indonezi nxënësit u kthyen në klasa, por shumë rregulla kanë ndryshuar. Përveç përdorimit të maskës, të folurit në klasë nuk lejohet, po ashtu mësuesit duhet të vaksinohen.
Autoritetet indiane kanë dhënë dritën jeshile për të rihapur pjesërisht disa shkolla, sigurisht nën masa të forta të distancimit fizik.
Disa ekspertë thonë se rreziqet e virusit për fëmijët mbeten të ulëta dhe sipas tyre është e nevojshme që fëmijët të kthehen në shkollë, veçanërisht për ato familje me kushte jo të mira ekonomike, fëmijët e të cilave përballen me shumë sfida për shkak të orëve në internet./ VOA