Mesi, lojtari me më shumë trofe në historinë e Barcelonës

schedule13:30 - 13 Gusht, 2018

schedule 13:30 - 13 Gusht, 2018

Lionel Mesi u bë lojtari me më shumë trofe në historinë e Barcelonës. Kapiteni kaloi Andres Iniestën pasi katalanasit fituan Superkupën e Spanjës.

Mbetet një makineri titujsh. Lionel Mesi e la shpejt prapa zhgënjimin e Botërorit gjeti kënaqësinë me Barcelonën, duke fituar Superkupën e Spanjës, e duke vendosur rekordin e trofeve me katalanasit. Argjentinasi, tashmë kapiten, ka tani 33 të tillë ndaj 32 që ishte rekordi që ai ndante me Andres Iniestën, ndërsa shanset janë që të fitojë edhe më shumë.

Triumfi i radhës ishte jashtë Spanjës, madje jashtë Europës, në qytetin maroken Tanxhier, siç i thonë europianët, apo Tanjah, siç e quajnë arabët e berberët. Nuk ishte e lehtë të thyhej Sevilja, ekipin që Barça e kishte mundur në finalen e Kupës së Mbretit, edicionin e kaluar, kur fitoi edhe titullin kampion. Madje, seviljanët kaluan të parët në epërsi me atë që u bë një moment historik. Për herë të parë, në futbollin spanjoll u përdor teknologjia VAR, dhe që vendosi se rrjeta ishte e rregullt, pavarësisht se gjyqtari anësor e kishte anuluar më parë për pozicion jashtë loje.

Mesi nuk mundi të shënonte këtë herë, një shenjë tjetër se vitet mbi supe po bëjnë punën e tyre, veçse ishte sërish vendimtar. Goditi shtyllën nga goditja e dënimit, dhe i dha mundësi Gerard Pikesë që të barazonte. Në pjesën e dytë, pak minuta para fundit, Usman Dembele vulosi rezultatin falë talentit të tij individual. Gjithsesi, ishte portieri Ter Shtegen që siguroi suksesin katalanas, kur priti penalltinë e gjuajtur keq nga Ben Jeder. Barcelona siguroi Superkupën e 13-të të Spanjës, një rekord, ndërsa ka gjithsej 93 trofe në historinë e saj, një tjetër rekord që e lë prapa Realin e Madridit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!