Mesfusha, shqetësimi kryesor i Panuçit

schedule12:27 - 9 Tetor, 2018

schedule 12:27 - 9 Tetor, 2018

Kristian Panuçi duket se ka gjetur problemin kryesor në kombëtare. Trajneri e ka vënë theksin tek mesfusha, në seancat përgatitore përpara ndeshjeve ndaj Jordanisë dhe Izraelit.

Problemi kryesor duket mbrojtja, por ai shqetësohet nga diçka tjetër.

Kristian Panuçi mendon se e keqja më e madhe e kombëtares vjen nga mesi i fushës, diçka për të cilën bisedoi me futbollistët gjatë seancave stërvitore para miqësores ndaj Jordanisë.

Trajneri i përfaqësueses mësohet se ka kërkuar më shumë impenjim nga lojtarët e këtij reparti, më shumë agresivitet dhe vrapim pa top, në mënyrë që të ndihmohet sulmi dhe mbrojtja.

Italiani ka biseduar sidomos me dy nga liderët e mesfushës, Bashën dhe Memushajn, duke i quajtur si kryesorë për të rregulluar ekuilibrat.

Futbollistët janë ndarë në grupe të vegjël, të cilët kanë punuar për aksione në zona të ngushta, ndërsa trajneri ka dhënë udhëzimet për lojë të shpejtë dhe me frymëmarrje.

Pozitiv është fakti se ekipi nuk ka dëmtime në prag të sfidave.

Pritet që Panuçi të bëjë eksperimente në miqësoren ndaj Jordanisë këtë mesjavë në “Elbasan Arena”, në mënyrë që t’i ketë idetë të qarta për ndeshjen më të rëndësishme, atë të së dielës në Izrael për Ligën e Kombeve.

Kombëtarja ka një fitore ndaj izraelitëve dhe një humbje në Skoci, në kompeticionin më të ri të UEFA-s, që të jep mundësi të kualifikohesh në Europian edhe nëse dështon në eleminatore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!