Emmanuel Egbo po zhvillon një punë fantastike te Tirana dhe është afër fitimit të titullit kampion me skuadrën kryeqytetase. Trajneri nigerian i bardhebluve, ka folur së fundi për allnigeriasoccer.com, duke i sugjeruar disa lojtarë interesantë Gernot Rohr, trajnerit të Nigerisë.
Ata janë Michael Ngoo dhe Kyrian Nwabueze i Laçit. I pari ka lindur në Angli, është rritur te Liverpool, sivjet ka shënuar 9 gola në kampionat dhe ka dhuruar 13 asiste. Vetëm Idriz Batha (10 gola) ka shënuar më shumë se “gjiganti” i sulmit te Tirana.
Ngoo-së nuk i mungon gjaku nigerian, nëna e tij është nga ky vend dhe një ftesë nga kombëtarja afrikane nuk do e refuzonte. Egbo e vlerëson shumë, njësoj si Nwabuezen e Laçit (17 gola në kampionat), dhe fton Rohr që t’u japë një mundësi.
“Ngoo është lojtari me më shumë asiste te Tirana dhe një nga golashënuesit e skuadrës. Ai shënoi dhe dhuroi dy asiste në fitoren e fundit kundër Vllaznisë së Shkodrës. Nigeria mund të thërrasë lojtarë nga kampionate të ndryshme.
Unë e humba vendin tim në kombëtare kur u transferova në Shqipëri, sepse trajnerët e shihnin Superioren si një ligë të dobët. Ata nuk e dinë se sa është zhvilluar futbolli këtu dhe sa masiv është bërë.
Ka disa sulmues nigerianë që po paraqiten mirë në Shqipëri. Kyrian Nwabueze, i cili ka pasaportë amerikane, ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit përpara se të dëmtohej. Ka edhe të tjerë, madje ata habiten pse nuk kanë marrë një ftesë nga kombëtarja.
Nigeria duhet t’i ftojë, po flasim për futbollistë shumë të mirë. E meritojnë një shans. Unë mendoj se Ngoo është mjaft i mirë për kombëtaren, ai ka luajtur tek Akademia e Liverpool me Rahem Sterling. Ka eksperiencë dhe është rritur në një ambient të mirë, ka një edukim të shëndoshë futbollistik.
Është gati 2 metra i gjatë, shumë i fortë dhe i aftë në lojën një kundër një. Ne duhet t’i japim një mundësi çdo qytetari“, deklaron trajneri që po udhëheq bardheblutë e Tiranës drejt titullit kampion. /abnews.al