Mesazhi i Bashës nga Kavaja: Të bashkohemi për të bërë të mundur ndryshimin

schedule18:01 - 11 Mars, 2021

schedule 18:01 - 11 Mars, 2021

Kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë foto nga takimi i sotëm në Kavajë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Basha shkruan se në çdo hap dhe përshëndetje ka gjetur entuziazëm dhe padurim për ta shndërruar 25 Prillin në një referendum kundër të keqes që ka mbjellë Edi Rama.

Kreu i PD shton se kur ai të vijë në qeveri, do të ulen taksat dhe do të hiqen pengesat për të bërë biznes duke çliruar biznesit nga taksat e rënda.

“Sot vizitova qytetin e Kavajës ku në çdo hap dhe çdo përshëndetje, në çdo rrugë dhe çdo derë gjeta entuziazëm, padurim dhe vendosmëri për ta shndërruar 25 prillin në një referendum kundër të keqes që ka mbjellë Edi Rama prej 8 vitesh.

Dëgjova prej sipërmarrësve dhe qytetarëve se qytetin e ka pllakosur mjerimi dhe zymtësia nga babëzia e korrupsionit qeveritar dhe ikja masive e rinisë.

Diskutova me qytetarët dhe sipërmarrësit planet tona të punës për të kthyer normalitetin në Shqipëri dhe për të sjellë shpresën dhe ndryshimin që i duhet kaq shumë vendit.

Do të ulim taksat dhe do të heqim pengesat për të bërë biznes. Do të çlirojmë biznesin nga taksat e rënda dhe oreksi i mijëra inspektorëve. Do të anulojmë fiskalizimin dhe do të dërgojmë për ndjekje penale përgjegjësit për këtë aferë të hapur korruptive. Do të rrisim pensionet çdo vit 5% dhe do të ulim çmimin e energjisë dhe karburantit.

Do t’u kthejmë pronat brenda 4 viteve dhe do të krijojmë një buxhet dinjitoz për bashkësitë fetare. Kemi shumë punë që na presin për të kthyer shpresën e të rinjve tek Shqipëria, prandaj duhet të bashkohemi për të bërë të mundur ndryshimin. Më 25 prill, Rama humb dhe Shqipëria fiton!”, shkruan Basha./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!