Shoqata e Bankave apeloi qytetarët që të bëjnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve online. Së fundmi janë konstatuar raste ku qytetarëve me anë të mashtrimit u janë vjedhur të dhënat bankare dhe paratë.
Eksperti për teknologjinë, Besmir Semanaj tha për “Money Report” se nuk rrezikohen vetëm bankat, por çdo mjet i mundshëm online. Sipas tij, nga mashtrimet, qytetarët mund të përballen edhe me pasoja ligjore.
“Pamë reagimin e bankave për shkak të parave. I njëjti rrezik është edhe për rrjetet sociale, mjetet e komunikimit si WhatsApp, Telegram, Signal. Pra, të gjitha sferat e jetës online. Nëse do të tregojnë dy herë më shumë kujdes mund të minimizojnë dëmet por do të ketë dëme”, u shpreh ai.
Ai shtoi ai se është e rëndësishme që qytetarët të përdorin disa metoda sigurie përveç një passwordi.
“Nuk duhet të klikojmë te mesazhet. Nëse nuk na lidh diçka nga këto shtete, nuk duhet t’i klikojmë. Edhe këtu kemi dy skenare, i pari ku kërkohen verifikime dhe i dyti, mund të ketë virus dhe kur klikoni instalohet në pajisjen tuaj. Më e rëndësishme është që çdo qytetar të ketë më shumë se një autentikim, përveç passwordit. Nëse në Facebook futeni me email dhe password, duhet t’i shtoni edhe një metodë tjetër, të ketë edhe email, numër telefoni”, shtoi eksperti./abcnews.al

