Mesazh në vigjilje të Krishtlindjes, Papa: Lironi pengjet, jo më luftë dhe armë në Tokën e Shenjtë

schedule08:28 - 25 Dhjetor, 2023

schedule 08:28 - 25 Dhjetor, 2023

Nëse njeriu ka instrumente të vdekjes në duar, herët a vonë ai do t’i përdorë ato. Si mund të flasim për paqe nëse rritet shitja e armëve? Sa masakra të të pafajshmëve në botë. Jo më luftëra”.

Kështu e nisi Papa Françesku mesazhin e tij nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit në solemnitetin e Krishtlindjes, përpara se të jeptë për të gjithë besimtarët në mbarë botën, bekimin “Urbi et Orbi”.

Në thelb të fjalimit të Bergoglios qëndronte apeli i tij i fortë për paqe në Tokën e Shenjtë.

T’i thuash po Princit të Paqes do të thotë t’i thuash “jo” luftës, çdo lufte, vetë logjikës së luftës, një udhëtim pa destinacion, humbje pa fitues, çmenduri pa justifikime. Por për t’i thënë “jo” luftës ju duhet ti thoni “jo” armëve. Dhe si mund të flasim për paqe nëse vijon prodhimi, shitja dhe tregtia e armëve?“, theksoi ai.

Teksa shprehu dhimbjen për viktimat e sulmit të 7 tetorit nga Hamasit dhe një përqafim për Gazën, Papa ripërsëriti kërkesën për lirimin e pengjeve, ndërsa bëri thirrje që “operacionet ushtarake të Izraelit të pushojnë“.

Kam në zemër dhimbjen për viktimat e sulmit të dhunshëm të 7 tetorit dhe ripërsëris një apel urgjent për lirimin e atyre që ende mbahen peng. Unë lutem që operacionet ushtarake, me pasojat e tyre të frikshme në viktimave të pafajshme civile, të pushojnë dhe që situata e dëshpëruar humanitare të korrigjohet duke hapur mbërritjen e ndihmave. Të mos vazhdojmë të ushqejmë dhunën dhe urrejtjen, por le të shkojmë drejt zgjidhjes së çështjes palestineze, përmes dialogut të sinqertë dhe këmbëngulës mes palëve, të mbështetur nga një vullnet i fortë politik dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar. Vëllezër dhe motra, le të lutemi për paqen në Izrael dhe Palestinë”, tha Ati i Shenjtë.

Papa nuk harroi as luftën në Ukrainë dhe u lut për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë që vazhdon prej dy vitesh, ndërsa bëri thirrje që të pushojnë tensionet dhe konfliktet në Afrikë, Kore dhe Amerikë.

Ne jemi pranë vëllezërve dhe motrave tona që vuajnë nga lufta, mendojmë për Palestinën, Izraelin dhe Ukrainën. Ne mendojmë gjithashtu për ata që vuajnë nga varfëria, uria, skllavëria. Të mos harrojmë tensionet dhe konfliktet që tronditën rajonin e Sahelit, Bririn e Afrikës, Sudanin, si dhe Kamerunin, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.

Po afron dita kur lidhjet vëllazërore në gadishullin Korean do të forcohen, duke hapur shtigjet e dialogut dhe pajtimit që mund të krijojnë kushtet për paqe të qëndrueshme”, kujton Papa Françesku në mesazhin e tij të Krishtlindjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!