Mesazh në “vesh” nga autori, si u ekzekutua 47 vjeçari në kafe, në 2011 tentoi të vriste hasmin

schedule22:43 - 13 Shkurt, 2022

schedule 22:43 - 13 Shkurt, 2022

Prekë Tonaj po pinte kafe në një lokal në fshatin Grudë e re të Shkodrës, mbrëmjen e së dielës, kur një person iu afrua dhe, pasi i dha një mesazh të shkurtër, e ekzekutoi.

47 vjeçari u qëllua me kallashnikov ndërsa ndodhej në tavolinë. Në pak sekonda, autori i maskuar doli nga lokali, jashtë të cilit e priste një bashkëpunëtor që e mori me makinë dhe u larguan.

Policia e Shkodrës, në informacionin paraprak zyrtar për ngjarjen, bëri të ditur se vrasja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta. Por dyshohet qe atentati ndaj Tonajt të ketë qenë i mirë planifikuar. Një nga pistat për hetimin është edhe ajo e gjakmarrjes. Abc mëson se para se të qëllonte mbi 47 vjeçarin, autori i ka treguar emrin e porositësit të vrasjes që po kryente.

Dy vëllezër të Prek Tonajt janë vrarë në dy episode të veçanta në fillim të viteve 90; njëri në Dukagjin të Shkodrës, tjetri disa vite më pas në burg. 47 vjeçari që mbeti viktimë e atentatit të sotëm në Grudë te re, në 2011 ishte ndaluar nga policia, së bashku me të atin Ndue Tonaj, asokohe 68 vjeç dhe nje person tjetër. Sipas njoftimit të policisë në atë kohe, ata po planifikonin vrasjen e hasmit të tyre,  një pjesëtari të familjes Hasanaj në Shalë të Shkodrës.  Por zbulimi dhe parandalimi nga policia bëri që ky atentat të dështonte.

11 vite me pas, Prek Tonaj qëllohet për vdekje në fshatin e tij. Policia bën të ditur se ka ngritur pika kontrolli për të kapur autorët. 47 vjeçari punonte në ndërmarrjen Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, ishte i martuar dhe baba i 4 fëmijëve.

/abcnews.al