Nga Christian Davenport “The Washington Post”
Administrata e presidentit Biden dëshiron që të vazhdojë bashkëpunimin me shtetin rus për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës deri në vitin 2030 duke e mbajtur atë larg tensioneve midis dy vendeve. Nasa njoftoji që donte të vazhdonte bashkëpunimin, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se çdo sanksion i ri që vjen si pasojë e çështjes së Ukrainës mund të çojë në një prishje të plotë të marrëdhënieve.
Muajin e kaluar, Rusia lëshoi një raketë që shkatërroi një satelit joaktiv të motit dhe krijoi një fushë të madhe prej më shumë se 1500 copë mbeturinash të cilat kërcënuan stacionin hapësinor si dhe një mori satelitësh të tjerë.
Ky veprim u dënua nga administrata amerikane dhe drejtuesi i NASA-s Bill Nelson e quajti atë një veprim të pamatur dhe të rrezikshëm. Nelson tha gjithashtu se sulmi ishte një akt i ushtrisë ruse që befasoi dhe vetë agjencinë ruse të hapësirës.
Shtëpia e Bardhë dhe NASA e kanë mbajtur dhe duan të vazhdojnë ta mbajnë aleancën me partnerët e saj ndërkombëtarë dhe veçanërisht Rusinë larg trazirave gjeopolitike në Tokë. Kreu i agjencisë ruse të hapësirës Dmitry Rogozin deklaroi për “CNN” se ishte i përkushtuar ndaj stacionit dhe që kjo është një familje, ku divorci brenda stacionit nuk është i mundur.
Mbështetja e Shtëpisë së Bardhë për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës vjen ndërsa Kina po vendos stacionin e saj hapësinor në orbitën e Tokës. Kreu i NASA-s e ka quajtur Kinën një konkurrent shumë agresiv. Kongresi Amerikan ndërkohë ka miratuar financimin e stacionit deri në vitin 2024 dhe pritet të miratojë dhe fonde shtesë deri në vitin 2030.
NASA po bashkëpunon me kompanitë private për të zëvendësuar stacionin. Në tetor, agjencia firmosi tre kontrata me vlerë 415.6 milion dollarë për zhvillimin e habitateve komerciale të hapësirës. Kompanitë, “Blue Origin” e Jeff Bezos, “Nanoracks” dhe “Northrop Grumman”, kanë deklaruar se stacionet e tyre do të jenë gati deri në fund të dekadës.
Nëse stacionet nuk do të ndërtohen deri në fund të dekadës, NASA mund të humbasë terrenin që ka mbajtur në orbitën e ulët të Tokës për më shumë se 20 vjet. / abcnews.al