Shumë zhurmë rreth Federico Bernardeschi, i blerë nga Fiorentina në verën e vitit 2017 për shumën e 40 milion eurove. Emri i mesfushorit të Juventus u lidh me klube si Barcelona dhe Real Madrid dhe në kampin bardhezi me të vërtetë ishin të interesuar që ta mbyllnin bashkëpunimin me 25-vjeçarin.
Maurizio Sarri nuk e ka ndër të preferuarit dhe hapësirat i mungojnë, ndërkohë që edhe kur ka luajtur nuk është se ka shkëlqyer. Shitja e tij ishte shumë pranë dhe Calcimercato.com raporton se drejtuesit e kishin dhënë dritën jeshile për ta transferuar mesfushorin.
Në lajm, ndër të tjera saktësohet se kalimi te Barcelona nuk u realizua për shkak të vlerësimit që katalanasit kishin për Bernardeschi dhe Ivan Rakitic, lojtarin që Juventusi u mundua ta përfshinte në marrëveshje. Palët i ndanë 10 milion euro.
Mesfushori më pas u tentua edhe nga Milani, që ishte i gatshëm të përfshinte në marrëveshje mesfushorin Lucas Paqueta. Kuqezinjtë u munduan shumë pas kalimit të Suso në Spanjë te Sevilla, por paga e lojtarit dhe formula e transferimit sollën dështimin e këtij operacioni merkatoje. /abcnews.al