Britney Spears iu drejtua pak ditë më parë gjykatës, për t’i dhënë fund kontrollit të rreptë të babait mbi jetën dhe karrierën e saj, të cilën e ka ushtruar për më shumë se një dekadë. Ylli i muzikës pop kërkon që financat e saj të mbikëqyren përgjithmonë nga Jodi Montgomery, kujdestarja e përkohshme profesioniste, së cilës iu caktua ky rol vitin e kaluar.
Në këtë mënyrë, Spears kërkon të largojë përgjithmonë të atin, James Spears si kujdestarin e saj mbi vendimmarrjen personale dhe financiare si dhe atë të kujdesit shëndetësor. Por, së fundmi në lojë ka hyrë edhe e motra e saj, Jamie Lynn Spears e cila ka ndërmarrë një hap për të patur më shumë kontroll mbi pasurinë e saj.
Britney themeloi “SJB Revocable Trust” në 2004 për të menaxhuar pasurinë miliona dollarëshe për dy fëmijët e saj në të ardhmen. Ndërkohë Jamie, e cila në vitin 2018 u emërua administruese e besuar e financave të së motrës, paraqiti dokumentet javën e kaluar, ku kërkon që pasuria të kalojë në një llogari në “Fidelity Brokerage Service”, ku ajo ka kontroll. /abcnews.al/