Mes auditorëve dhe fermës/ I riu nga Kukësi studion veterinari: Fillimisht u paragjykova

schedule22:24 - 21 Tetor, 2023

schedule 22:24 - 21 Tetor, 2023

Ka zgjedhur një profesion që bashkëmoshatarët e tij i qëndrojnë larg. Vilson Zela është 22 vjeç dhe studion për veterineri në Universitetin Bujqësor të Tiranës por çdo fundjavë lë auditorët dhe kryeqytetin për të shkuar në fshatin e tij në Bushat të Kukësit.

Aty kujdeset për fermën që ka ndërtuar me të afërmit e tij por edhe praktikon nga pak profesionin që e ka trashëguar nga i ati.

Vilsoni tregon se kur zgjodhi degët që do të studionte 4 vite më parë u përballë me paragjykime. Sot është I bindur që ka bërë zgjedhjen e duhur.

Nga i ati ka mësuar shumë. Tregon se dashuria dhe kujdesi për kafshët i është rrënjosur që në moshë të vogël kur e ndiqte nga pas në punën që ai bënte fshat më fshat.

Vitin e katërt e cilëson më të rëndësishmin të studimeve. Thotë se është një profesion i vështirë por për të treguar rëndësinë që ka veterinaria citon postulatin e famshëm “mjeku human shpëton njërin, mjeku veteriner njerëzimin”

Në Bushat përveç kafshëve të fermës kujdeset edhe për tokat bujqësore që në çdo stinë të vitit mbillen me kultura të ndryshme. Shpreh keqardhjen që fshatrat po braktisen dhe banorët e mbetur për shkak të vështirësive po heqin dorë nga bujqësia apo blegtoria.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!