Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të enjten se presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka marrë një propozim të ri që përshkruan lëshimet territoriale që Ukraina mund të jetë e gatshme të marrë në konsideratë për t’i dhënë fund pushtimit rus, shkruan Kyiv Post.
Merz tha se dokumenti u dorëzua pasi ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë zhvilluan një telefonatë me Trump të mërkurën, transmeton Telegrafi.
“Kryesisht ka të bëjë me çështjen se çfarë lëshimesh territoriale është e gatshme të bëjë Ukraina”, u tha Merz gazetarëve, duke theksuar se vetëm “presidenti ukrainas dhe populli ukrainas” mund të vendosin për çështje të tilla.
Duke folur në një konferencë shtypi online në fillim të kësaj jave, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se tre dokumente po përgatiten si pjesë e një pakete më të gjerë paqeje: një kornizë prej 20 pikash që vazhdon të evoluojë; një dokument i veçantë për garancinë e sigurisë i hartuar së bashku me partnerët amerikanë dhe evropianë; dhe një plan gjithëpërfshirës rindërtimi për Ukrainën.
Komentet e tij vijnë ndërsa propozime të shumta paqeje qarkullojnë në Uashington dhe Evropë. Një plan prej 28 pikash i hartuar nga zyrtarë amerikanë me kontribut nga Kremlini u publikua në fund të nëntorit.
Në formën e saj origjinale, do të kishte kërkuar që Ukraina të hiqte dorë nga përpjekja për anëtarësim në NATO, të kufizonte madhësinë e ushtrisë së saj dhe të dorëzonte territorin që forcat ruse deri më tani nuk kanë arritur ta pushtojnë në fushën e betejës.
Rrjedhja e informacionit shkaktoi javë të tëra diplomacie kaotike. Ukraina dhe partnerët e saj evropianë kanë nxituar për t’iu kundërvënë propozimit me një alternativë që është më pak e anuar nga Moska.
Përpjekja e tyre prodhoi një plan të ri prej 20 pikash nga Kievi, i cili tani është në diskutim me administratën Trump.
Tensionet janë rritur gjithashtu nga sinjalet nga Uashingtoni mbi politikën ekonomike. Një dokument i Departamentit të Thesarit të SHBA-së i publikuar të mërkurën, tha se kompanitë amerikane mund të vazhdojnë të bëjnë biznes me Lukoil të Rusisë deri pak pas mesnatës më 17 janar, duke shtuar më tej pasiguri në politikën perëndimore.
Merz, duke folur së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Evropa nuk duhet ta detyrojë Ukrainën të hyjë në një marrëveshje që nuk mund ta pranojë.
“Do të ishte një gabim të shtyhej presidenti ukrainas drejt një paqeje që populli i tij nuk do ta pranojë pas katër vitesh vuajtjesh dhe vdekjesh”, tha ai.
Trump të mërkurën shprehu zhgënjim me Ukrainën dhe aleatët evropianë, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se “fjalë të forta” u shkëmbyen gjatë telefonatës me udhëheqësit evropianë.
Merz tha se bisedime shtesë me zyrtarët amerikanë janë planifikuar këtë fundjavë dhe se një takim më i gjerë ndërkombëtar mbi Ukrainën “mund të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme”.
Nëse Uashingtoni merr pjesë, tha ai, varet nga propozimet e përbashkëta të draftit që tani po finalizohen.
Ai shtoi se biseda e tij me Trump i dha “përshtypjen e fortë se ai është gati të ndjekë këtë rrugë me ne, sepse ai e di që evropianët dhe interesat e tyre duhet të dëgjohen”.
Merz e përshkroi shkëmbimin e deklaratave si konstruktiv, duke thënë se të dyja palët folën qartë dhe me “respekt të ndërsjellë”.
Merz përshkroi tre prioritete për përpjekjet diplomatike të vazhdueshme: sigurimin e një armëpushimi, sigurimin që ai të mbështetet nga “garanci të forta ligjore dhe materiale” dhe arritjen e një zgjidhjeje që mbron sigurinë evropiane pa dëmtuar unitetin e NATO-s apo Bashkimit Evropian.

