EMRAT/ Merrnin para për skanerat, arrestohet mjeku dhe tekniku i shërbimit të imazherisë në QSUT

schedule10:30 - 3 Shkurt, 2023

schedule 10:30 - 3 Shkurt, 2023

TIRANË- Një mjek dhe tekniku i shërbimit të imazherisë në QSUT janë arrestuar. Policia thotë se ata në bashkëpunim me njëri tjetrin u kërkonin para qytetarëve për të bërë skaner. Të arrestuarit janë Nazmi Metaliu dhe Astrit Mansaku.

Njoftimi i Policisë: 

Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Skaneri”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. U morën para pacientëve, për të shmangur procedurën standarde spitalore, për bërjen e skanerit, vihen në pranga 2 shtetas (mjeku dhe tekniku i Shërbimit të Imazherisë në QSUT).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skaneri”.

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

– N. M., 63 vjeç, banues në Tiranë, me profesion mjek;
– A. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, me profesion teknik imazherie.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!