Merret vendimi në Kosovë: Qytetarët s’mund të shkojnë në dasma dhe klube nate pa u vaksinuar

schedule14:31 - 6 Gusht, 2021

schedule 14:31 - 6 Gusht, 2021

Të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të shkojnë në dasma, qendra tregtare dhe klube nate duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID. Vendimi është njoftuar sot nga OHT (Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë).

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin e OHT-së.

Stafi i punonjësve të këtyre sektorëve duhet të jetë i vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës, deri më 12 gusht.

“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se është diskutuar edhe zgjatja e orarit për klubet e natës. “Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, bën të ditur njoftimi. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht. m.v/abcnews.al