Brajan Beshiku, 18 vjeçari nga Saranda i cili është i parë në qytetin e tij por dhe në Shqipëri që ka arritur të fitojë të drejtën e studimit në Francë në cilin universitet që ai dëshiron, ishte i ftuar sëbashku me mësuesen e tij të letërsisë Aida Veliaj në ‘Abc e Pasdites” me Ermal Peçin.
Brajani vetëm 2 vite më parë kreu disa testime për ‘Campus France’, në të cilat arriti rezultate maksimale, dukë u bërë personi më i ri në moshë që ka arritur të marr ato pikë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai do të mund të udhëtojë drejt Francës me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga shteti francez për të studiuar në degën e mjekësisë dhe kardiokirurgjisë.
“Studimi dhe shkolla është çelësi i gjithçkaje. Duhet të kemi kurajo për të vazhduar përpara.” – shprehu Brajan në mesazhin e tij për të rinjtë.
Përtej punës së tij të palodhur dhe mbështetjes maksimale nga prindërit, Brajan shprehu se mirënjohje dhe falenderim kishte për mësuesin e tij të 9vjeçares, Guri Tatari, i cili u bë pjesë e emisionin nëpërmjet një video-mesazhi.
“Profesori im është një nga arsyet pse unë jam ky që jam sot. Do i jem mirënjohës gjithë jetën atij mësuesi.”
A ka pasur vështirësi në këtë rrugëtim?
“Më kanë thënë në Sarandë do çmendesh duke mësuar por unë gjithmonë kam pasur objektivin tim të përfundoja gjithçka më sukses dhe vetëm me këtë mendim ecja përpara.” – tha talenti shqiptar.
Mësuesja e tij Aida u shpreh krenare për arritjet e Brajan, dhe ndau mesazhin se çdo i ri duhet parë dhe trajtuar me kujdes nga mësuesit për të nxjerrë në pah anët e tyre me të mira dhe talentet.
“Një mësues në jetën e një njeriu është shumë i rëndësishëm. Shumë talente zbulohen për shkak të intuitës së mësuesve. Do ftoja mësuesit të ishin më afër nxënësve për të kuptuar nevojat dhe talentet e tyre.” – tha mësuesja Veliaj. /abcnews.al