Merr fund “aventura” e Ujkanit, 35-vjeçari var “këpucët në gozhdë”

schedule09:36 - 2 Nëntor, 2023

schedule 09:36 - 2 Nëntor, 2023

Padyshim kur kujtojmë emrat, që kanë mbrojtur rrjetën e Kombëtares sonë, ndërmend na vjen dhe “shtatlarti” Sajmir Ujkani, i cili që prej 3 qershorit të vitit 2016 mbronte rrjetën e Kombëtares së Kosovës, duke arritur të mbajë në krah edhe shiritin e kapitenit për “dardanët”.

Mirëpo, tashmë në moshën 35-vjeçare, “gardiani” i portës ka vendosur t’i jap fund karrierës së tij profesioniste, duke varur “këpucët në gozhdë” një herë e mirë. Gjithçka u mësua pasditen e së mërkurës, ku me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar, në Instagram njoftoi largimin e tij.

Në karrierën e tij, Ujkani ka luajtur me një sërë klubesh të Serie A, si Palermo, Novara, Chievo, Genoa, Pisa, Cremonese, Torino e Empoli, si dhe ka luajtur në Turqi, me skuadrën e Rizespor. Ndërkaq, përsa i përket Kombëtareve, 35-vjeçari ka zhvilluar plot 20 ndeshje me “kuqezinjtë” tanë, si dhe 32 të tjerë me “dardanët” e Kosovës.

Postimi i plotë i Samir Ujkanit:

30 vite më parë, si një djalosh 5-vjeçar mora topin e futbollit në këmbët e mia dhe që nga ai moment, topi i futbollit ishte pjesë e jetës sime. Nuk e kam pritur e imagjinuar asnjëherë se do të përjetoj një rrugëtim kaq të bukur e të mbushur me kaq shumë momente kënaqësie. Ai fëmijë që dikur ishte 5-vjeçar, u detyrua të largohej nga Kosova, për t’u shndërruar në një djalosh e në një burrë, në një futbollist që më vonë do të kthehej sërish në Kosovë, ndërmjet dy shtyllave për të mbrojtur triumfalisht portën e saj.

Ashtu sikur për gjithçka tjetër në jetë, ka ardhur koha që të them lamtumirë.

Nuk jam as i mërzitur e as i trishtuar, në fakt ndihem shumë i qetë dhe shikoj me krenari të jashtëzakonshme rrugëtimin tim futbollistik dhe karrierën time, duke qenë i vetëdijshëm se kam qenë me shumë fat që kam përjetuar një eksperiencë unike dhe të mrekullueshme.

Ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz, pothuajse në çdo qytet ku kam jetuar dhe kujtime të pashlyeshme për çdo fanellë që e kam bartur me krenari dhe që do të jenë pjesë e  rëndësishme e jetës sime.

Falënderime të pafund për Tielt Academy, to @ingelmuster, @rscanderlecht, @palermofficial, @novarafootballclub, #chievoverona, @genoacfc, @latinacalcio1932official, @pisasportingclub, @uscremonese, @crizesporas, @torinofc1906, @empoli_fc_official.

Faleminderit për ekipin kombëtar të Shqipërisë @fshforg, e mbi të gjitha, faleminderit vendlindjes sime dhe kombëtares sime të Kosovës @ffk_kos.

Po ashtu është koha për t’i falënderuar të gjithë ata me të cilët e kam ndarë këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe të cilët dua t’ i falënderoj duke i karakterizuar, sepse 100 faqe nuk do të mjaftonin, duke i përmendur me emra. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!