Eldorado Merkoçi është një emër që sjell nostalgji te tifozët e Tiranës. Ish-sulmuesi i bardhebluve, i cili provojë të veshë dy herë fanellën e kombëtares, ka folur për futbollin në një lidhje direkte me “Fan Zone” në Supersport, aty ku flet rreth tërheqjes së shpejtë dhe analizon sezonin e skuadrës së Egbo.
TËRHEQJA – “Nuk mund të them se e kam lënë vetëm unë futbollin, por edhe futbolli më ka lënë mua. Jam ndjerë shumë keq ku u largova nga futbolli, pasi ka qenë herët kur e mbylla. Kam qenë rreth 27-28 vjeç. Unë bëra një pakt me veten që të rrija larg klubit, por jo se nuk e doja këtë skuadër. Nuk doja të kisha më stres dhe presion”.
SUKSESET – “Ka patur shumë dhe unë nuk mund të ndaj ndonjë. Janë të shumta rastet e veçanta. Të gjitha kanë bukurinë e vet. Nuk mund të ndaj një, pasi kanë qenë pjesë e karrierës time. Kemi arritur majat në futbollin shqiptar, unë jam i kënaqur me ato që kam arritur”.
TIRANA – ”Në sezonet e fundit nuk ka patur rezultatet që tifozët dhe presidenca kërkojnë, por çdo ekip ka oshilacionet e tij. Ka kohë të arta, por edhe rënie. Pas shumë vështirësish, Tirana ia doli ta marrë veten dhe të rikthehet aty ku e meriton. Mesa kam parë këtë sezon, Tirana e ka merituar titullin, pasi asnjë ekip nuk ka bërë më mirë se. Nëse do rifillojë kampionati, Tirana duhet të jetë e kujdesshme, pasi një humbje mund t’i sillte të tjerat rresht”.
KRAHASIMI – “Janë periudha të ndryshme dhe unë nuk mund ta bëj një krahasim midis Tiranës time dhe skuadrës së tanishme. Gjithmonë i jam mendimit që çdo brez ka veçoritë e saj”. /abcnews.al

