Merkel prezanton reformat për BE-në

schedule16:59 - 3 Qershor, 2018

schedule 16:59 - 3 Qershor, 2018

Në një intervistë për mediat gjermane, kancelarja Angela Merkel ka prezantuar vizionin e saj për reformimin e Bashkimit Europian. Ajo ka pranuar gabimin e unionin që ka lënë Italinë të vetmuar sa i përket çështjes së pritjes së emigrantëve.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, analizon Bashkimin Evropian dhe në një intervistë me Frankfurter Allgemeine Zeitung flet për sigurinë e kufirit, emigrantët dhe politikat e azilit dhe thotë:

“Këto janë çështje vërtetë ekzistenciale për Evropën”.

Ajo pranon se duhet unifikuar sistemi dhe nënvizon se një pjesë e pasigurisë në Itali ka lindur nga vetmia në emergjencën e refugjatëve. Ndër të tjera, kancelarja ka prezantuar për herë të parë propozimin e saj për reformimin e Bashkimit Europian në të cilin parashikohet një kuotë në buxhet për investime me miliarda euro për të kompensuar diferencat mes ekonomive të vendeve të zonës euro.

Në intervistë, Merkel nuk ka saktësuar nëse kuota e investimeve do të jetë pjesë e buxhetit normal të BE-së, apo siç kërkon presidenti francez, Emmanuel Macron, do të jetë një instrument në duart e ministrave të financave të eurozonës.

Sipas kancelares gjermane, “Fondi Monetar europian duhet të lindë nga Mekanizmi I Stabilitetit të krijuar gjatë krizë dhe duhet të ndihmojë me kredi të shpejta vendet në vështirësi, në shkëmbim të kufizimeve natyrisht, në sasi të kufizuara dhe me një rimbursim të plotë”.

Sa i përket propozimit për buxhetin e BE-së 2021-2027, Merkel thekson rëndësinë e përcaktimit të saj para zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së në 2019.

“Ne kemi nevojë për një konvergjencë më të madhe ekonomike midis vendeve anëtare brenda zonës së euros”, tha Merkel, duke u shprehur në favor të një buxheti për investimet.

“Por solidariteti midis partnerëve të eurozonës kurrë nuk duhet të çojë në një bashkim borxhesh”, shtoi ajo duke saktësuar se dëshiron një BE më të pavarur nga FMN-ja.

“Nëse eurozona është në rrezik, ajo duhet të jetë në gjendje të japë kredi afatgjata për të ndihmuar vendet”, vijon Merkel në intervistë.

Kancelarja saktëson se këto janë kredi 30-vjeçare, të lidhura me reformat strukturore. Ndërkohë, Merkel kërkon që në këmbim të ndihmës ndaj vendeve në vështirësi, këta të fundit duhet të pranojnë se Fondi ka të drejtë të kontrollojë dhe të ndërhyjë në politikat kombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!