Merkel premton: Do t’i shkoj deri në fund mandatit tim

schedule13:24 - 12 Shkurt, 2018

schedule 13:24 - 12 Shkurt, 2018

Në një intervistë për mediat gjermane, kancelarja Angela Merkel premtoi se do i shkonte deri në fund mandatit të saj. Njëkohësisht, ajo hodhi poshtë kritikat, sipas të cilave, pushteti i saj është dobësuar pas lëshimeve të fundit që iu bënë socialdemokratëve të Schulz, për të pasur një koalicion të gjerë qeverisës.

Angela Merkel dëshiron të qeverisë Gjermaninë në krye të koalicionit të madh deri në fund të mandatit të saj. Nuk përjashton as mundësinë, në rast se militantët socialdemokratë nuk pranojnë marrëveshjen, që të drejtojë sërish CDU-në në një fushatë të re elektorale. Por mbi të gjitha ajo hedh poshtë idenë se pushteti i saj po zbehet, dhe pse nuk mohon tensionin në rradhët e konservatorëve për lëshimet e shumta të bëra në negociatat me SPD-në. Në një intervistë për gjermanen ZDF, ajo u shpreh se i përket kategorisë së njerëzve që mbajnë premtimet e bëra.

Një Merkel e vendosur, dhe aspak e prekur nga vala e kritikave të brendshme pas humbje së ministrisë së financave që i kaloi socialdemokratëve të Schulz.

“Kemi paguar një çmim për të pasur një qeveri të qëndrueshme dhe lëshimi i Ministrisë së Financave ishte i dhimbshëm, por sipas meje, i pranueshëm. Anulimi i negociatave për shkak të shpërndarjeve të posteve ministrore do të kishte qenë një veprim i papërgjegjshëm nga ana ime. Në çdo rast edhe nëse ministri i Financave është socialdemokrat, kjo nuk do të thotë se ai mund të bëjë çfarë të dojë”, u shpreh Merkel.

Këtë deklaratë e vërteton fakti se dhe kur ish-ministri, kolegu i saj i parties, Volfang Shauble, dëshironte të nxirrte Athinën jashtë zonës euro në kulm të krizës financiare greke, nuk mundi ta bënte pasi nuk u lejua nga Merkel.
Për sa i përket kritikave për menaxhimin e negaciotave dhe akuzave se pushteti i saj është dobësuar, Merkel tregohet e prerë:

“Nuk është aspak kjo përshtypja ime, por e pranoj se pas 12 vjetësh si kancelare, akuza të tilla dhe mund të bëhen. Por posti im dhe presidenca e partisë duhet të qëndrojnë së bashku pasi është një kusht i pashmangshëm për një qeveri të qëndrueshme”, tha ajo.

Por është e vështirë që kancelarja të injorojë kundërshtimet, pasi prej kohësh në radhët e kristiandemokratëve, është larg koha, kur askush nuk guxonte ta kundërshtonte publikisht.
Zëvendësministri gjerman i Financave në largim, Jens Spahn, u shpreh se nuk do donte që kryeministri grek, Aleksis Tsipras, të hapte shishen e shampanjës, duke menduar se me një ministër socialdemokrat të Financave, tashmë mund të marrë më shumë kredi dhe të bëjë më pak reforma. Spahn është kritiku kryeosr i Merkel brenda partisë e mendohet si një nga kandidatët që mund ta zëvendësojë
Merkel theksoi se në 26 Shkurt do të zhvillohet një kongres i jashtëzakonshëm i CDU-së, ku do të miratohet dhe marrëveshja me socialdemokratët. Në atë rast do të bëhen të ditur emrat e gjashtë ministrave kristian demokratë, që sipas saj do të jenë një përzierje mes emrave të rinj dhe personaliteteve me experience, një skuadër totalisht e re.

Por pika më e vështirë është referendumi brenda SPD-së, pa të cilin nuk mund të ketë një qeveri në Berlin. Merkel lavdëroi Martin Shulz, liderin socialdemokrat, i cili hoqi dorë si nga drejtimi i partisë ashtu dhe nga Ministria e Jashtme duke thënë se kishte negociuar në mënyrë të ndershme dhe se e kuptonte, që tashmë ndodhej në një pozicion të vështirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!