Merkel: Fjalimet e urrejtjes po kalojnë vijat e kuqe, po nxisin dhunën

schedule19:58 - 29 Maj, 2018

schedule 19:58 - 29 Maj, 2018

Kancelarja Merkel ka kritikuar retorikën ksenofobe, të përdorur nga partitë radikale në Gjermani. Merkel ka deklaruar se fjalimet që kanë në sfond gjuhën e urrejtjes, rrezikojnë të nxisin akte dhune.

Kancelarja Angela Merkel ka akuzuar politikanët e ekstremit të djathtë në Gjermani se me përdorimin e retorikës ksenofobe jo vetëm që po kalojnë kufijtë e lirisë së shprehjes, por po nxisin dhunën. Duke folur në përvejtorin e një sulmi me zjarr në Solingen, që 25 vjet më parë u mori jetën 5 vajzave turke dhe plagosi 14 të tjera, Merkel tha se Gjermania ende vuan nga ekstremizmi i djathtë kur kanë kaluar më shumë se 7 dekada nga mposhtja e nazizmit. “Shpesh herë, vijat e kuqe të lirisë së fjalës po vihen në dyshim dhe tabutë po shkelen dhe po përdoren si instrument politik”, u shpreh Merkel në eventin përkujtimor, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu. Kancelarja theksoi se kjo nuk është një betejë politike, por një lojë me zjarrin, sepse kushdo që nxit dhunën me fjalë rrezikon të kalojë në vepra. Fjalët e saj duket se i referoheshin partisë radikale Alternativa për Gjermaninë, që kundërshton emigrantët dhe që hyri për herë të parë në dhomën e ulët të Parlamentit në zgjedhjet e fundit, me një fushatë elektorale kundër fluksit migrator. Disa politikanë të kësaj partie janë akuzuar për racizëm nga ligjvënësit gjermanë dhe komuniteti turk në Gjermani. Këta të fundit kanë paralajmëruar se do t’i padisin pasi i quajtën emigrantët turq “shoferë gamilesh”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!