Merkel e Macron të ndarë për pasardhësin e Juncker

schedule23:59 - 28 Maj, 2019

schedule 23:59 - 28 Maj, 2019

Udhëheqësit e 28 vendeve të BE kanë bërë përpjekjen e parë në drejtim të konsesusit për kreun e ri të Komisionit Europian gjatë një darke pune të martën në Bruksel. Por siç pritej, Gjermania e Franca duken se kanë emra të ndryshëm në mendje dhe kjo u duk edhe nga deklaratat paraprake të Merkel e Macron.

Udhëheqësit e 28 vendeve të BE, përfshi kryeministren britanike në largim Theresa May patën mbrëmjen e të martës një darkë informale pune. Synimi ishte diskutimi për pasardhësin e presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker dhe postet e tjera kyçe, përfshi edhe kreun e Bankës Qendrore Europiane, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve te fundit në BE.

Mosmarrëveshjet e para kanë spikatur mes Francës e Gjermanisë, në kushtet kur zgjedhjet e 23-26 Majit kanë ndryshuar balancat në Parlamentin Europian, pasi për herë të parë dy blloqet kryesore të së djathtës e të majtës kanë humbur shumicën së bashku.

Nacionalistët, liberalët dhe të gjelbrit kanë fituar terren, duke i vështirësuar mundësitë për konsensus. Darka informale e të martës ishte vetëm një hap i parë për të testuar ndjeshmëritë paraprake, por negociatat do duan kohë.

5 vjet më parë, Juncker u zgjodh president i Komisionit Europian, organit që kujdeset për zbatimin dhe draftimin e ligjeve të BE, nga radhët e PPE, fitueses së zgjedhjeve.

Por këtë herë zgjedhja është shumë më e vështirë. Nga 217 vende 5 vjet më parë, PPE ka deri tani vetëm 180 vende, një vështirësi për kandidatin e qendrës së djathtë, gjermanin  Manfred Weber, në parlamentin me 751 vende.

Në mbërritjen për darkën informale në Bruksel, kancelarja Merkel tha se patjetër që ajo e mbështet kandidaturën e Weber, me partinë e saj, pjesë e PPE.

Por presidenti francez Emmanuel Macron as që e përmendi z. Weber si kandidat të mundshëm. Macron përmendi emrin e kryenegociatorit të Brexit, francezit Mishel Barnje, të liberales daneze Margret Vestager dhe kandidatit hollandez të qendrës së majtë Frans Timermans, si kandidatë që kanë cilësitë e duhura, nënvizoi shefi i Elizesë.

Në një komunikim me mediat, presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani u mjaftua me deklaratën se për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj në BE do ndiqen procedurat e njohura.

Përvec Jean-Claude Juncker, në postet më të larta të BE, do zëvendësohen edhe presidenti i Këshillit Europian, polaku Donald Tusk, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, italiani Mario Draghi dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, italiania Federica Mogherini.

Negociatat dhe lobimet mes udhëheqësve të BE-së dhe grupeve parlamentare do vazhdojnë deri në samitin e 20-21 Qershorit, ku Këshilli Europian duhet të ketë një vendimmarrje.

Në Korrik do jetë radha e Parlamentit Europian të votojë kandidatin për president të Komisionit Europian, i cili merr detyrën bashkë me përfaqësuesin për politikë të jashtme dhe presidentin e Bankës Europiane. Ndërsa presidenti i Këshillit Europian merr detyrën më 1 Nëntor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!