“Populistët që argumentojnë se koronavirusi është i padëmshëm janë të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”, tha të enjten kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Jemi në një gjendje dramatike në fillim të sezonit të ftohtë. Kjo na prek të gjithë ne, pa përjashtim”, tha kancelarja në dhomën e ulët, duke shtuar se masat e reja kufizuese janë të nevojshme dhe të duhura.
“Gënjeshtrat dhe dezinformatat, teoritë konspirative dhe urrejtja jo vetëm që e dëmtojnë debatin demokratik por edhe luftën kundër virusit”, tha ajo në kuvend në fjalimin gjatë të cilit u pengua nga deputetët e së djathtës ekstreme, anëtarë të partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD).
“Dimri do të jetë i vështirë, katër muaj të gjatë e të vështirë, por do të përfundojë”, shtoi ajo.
Kritikat për qeverinë rreth masave të reja kufizuese kanë ardhur nga sektorët që do të preken më së shumti, hoteleria dhe gastronomia.