Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë bërë përparim “shumë të kufizuar” në negociatat rreth marrëdhënies së tyre në të ardhmen.
Ndër të tjera ajo ka theksuar se ende ekziston mundësia e mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje.
“Ka përparim në bisedime, ndonëse shumë i kufizuar”, ka thënë Merkel. Ndërkohë Gjermania ka nisur këtë të mërkurë udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian.
“Ne jemi pajtuar me Britaninë për përshpejtim të procesit të bisedimeve, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje në vjeshtë, e cila duhet të ratifikohet në fund të këtij viti’, është shprehur kancelarja.
Mirëpo Gjermania dhe BE-ia “duhet të jetë të përgatitura për mundësinë e mosarritjes së një marrëveshjeje”. Britania është larguar nga blloku evropian më 31 janar.
Periudha tranzitore, gjatë së cilës Britania mbetet brenda tregut dhe sistemit doganor të BE-së, përfundon më 31 dhjetor, andaj presioni për arritje të pajtueshmërisë për tregti të liri është në rritje e sipër.
Meqë të dyja palët shihen larg cakut, një rreth i “negociatave të intensifikuara” është planifikuar për këtë javë. Zëdhënësi i kryeministrit britanik, Boris Johnson ka thënë se marrëveshja është ende e mundshme, por Britania ka qenë e përgatitur për të gjithë skenarët./abcnews.al