Jemi në periudhë merkato dhe lojtarë të ndryshëm kanë marrë oferta. Ernest Muçi është një nga futbollistët më të talentuar të Superiores dhe interesimi nga jashtë nuk ka munguar për sulmuesin e Tiranës.
Një ndër klubet që po monitoron prej kohësh 19-vjeçarin është Rapidi i Vienës. Laola1.at raporton se klubi austriak ka ofruar 400 mijë euro për të blerë kartonin e goleadorit shqiptar (6 gola këtë sezon mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë).
Një ofertë shumë e mirë, por kampionët e Shqipërisë duan të paktën 500 mijë euro dhe një pjesë të kartonit në rast të një shitje në të ardhmen. Për Muçin ka interesim edhe nga Suedia dhe Zvicra, por Rapidi mbetet në “pole”.
Zhvillime edhe te Partizani. Panorama Sport raporton se Jasir Asani është me valixhe gati dhe pritet të largohet nga Superiorja. Sulmuesi anësor nga Shkupi, ka marrë një ofertë nga Dubai, konkretisht nga një klub i divizionit të dytë të futbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
25-vjeçarit i përfundon kontrata me “Demat e Kuq” në fundin e këtij sezoni. 20 mijë euro ofron klubi arab për kartonin e lojtarit shqiptar, shumë që është pranuar nga klubi kryeqytetas. /abcnews.al