Michael Ngoo me shumë mundësi do të largohet nga Tirana me përfundimin e këtij sezoni. Anglezi, i cili dha kontributin e tij që bardheblutë të riktheheshin në elitë, dëshiron fitimin e titullit kampion dhe më pas për të cikli mund të konsiderohet i mbyllur.
Tirana ka nisur prej kohësh punën për të gjetur një sulmues tjetër, çka lë të kuptohet se rinovimi me Ngoo është shumë larg. Gjiganti anglez është shënuesi më i mirë i Tiranës deri më tani, me 12 gola, ndaj edhe për të ka interesim nga disa klube.
Disa ditë më parë u lakua klubi belg RWDM Molembek, por kjo pistë është e vështirë për faktin se Ngoo nuk mund të transferohet në ligën e tretë në Belgjikë. Së fundmi në skenë ka dalë Menemënspor, klub që është lidhur me shumë futbollistë të Superiores.
Pak ditë më parë raportohej se kishin kontaktuar Theophilus Solomon të Partizanit, kurse ditën e djeshme “Yeniasir”, media e zonës së Izmirit, shkruan se trajneri i Menemenspor e ka parë Ngoo në fushë para periudhës së izolimit dhe ka një raport pozitiv për të dhe sulmuesi është një objektiv për sulmin e skuadrës turke. /abcnews.al