Merimanga e zezë pickoi 50-vjeçarin në Rrogozhinë, reagon QSUT: E kemi kundërhelmin, por për përdorim vendosin mjekët

schedule14:33 - 27 Qershor, 2022

schedule 14:33 - 27 Qershor, 2022

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar në lidhje me rastin e 50-vjeçarit në Rrogozhinë që u pickua të dielën nga merimanga e zezë.

QSUT sqaron se pacienti Hasbi.K,  me diagnozë “Pickimi nga merimanga e zezë”, është paraqitur ne Shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme të dielën në orën 21:20.

Sipas sqarimit, pasi ka kryer konsultë me mjekun toksikolog, ai është shtruar në Shërbimin e Toksikologjisë dhe iu nënshtrua ekzaminimeve laboratorike dhe testeve të nevojshme, sipas protokollit.

Sa i përket kundërhelmit, QSUT thotë se farmacia e tyre e disponon antidotin antivenine lactrodectus tredecimgutates dhe “përdorimi i tij përcaktohet nga mjekët, pasi ka kritere rigoroze, për shkak të riskut shumë të lartë të reaksionit deri në shock anafilaktik.” Po ashtu, bëhet e ditur se pacienti është në gjendje të stabilizuar nën mbikqyrje mjekësore dhe  vazhdon mjekimin sipas protokollit mjekësor.

Kujtojmë se ABC raportoi të dielën se Hasbi.K  ka qenë në banesën e tij në qendër të Rrogozhinës, kur është pickuar nga insekti helmues. Fillimisht ai ka marrë ndihmë në spitalin e Rrogozhinës më pas është nisur me urgjencë drejt QSUT.

Burime për ABC bënë të ditur të dielën se u desh ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë për të gjetur kundërhelmin ndaj merimangës së zezë të cilët kanë kontaktuar me disa vende nga rajoni. /abcnews.al/