Menaxhimi i Krizës Kibernetike/ Balluku: Buxhet i veçantë nga qeveria për mbrojtjen e sulmeve kibernetike

schedule18:37 - 3 Prill, 2024

schedule 18:37 - 3 Prill, 2024

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në tryezën për Simulimin e Menaxhimit të një Krize Kibernetike. Ajo ka deklaruar seduhet digjitalizim i shërbimeve për uljen e nivelit të korrupsionit.

Sipas Ballukut, edhe bizneset private duhet të investojnë në sigurinë kibernetike, pasi kjo e fundit kërkon bashkëpunim të gjithë sektorëve. Ministrja ndër të tjera ka thënë se një buxhet i veçantë do të jepet nga qeveria për mbrojtjen e sulmeve kibernetike.

“Një proces dixhitalizimi që patjetër i përgjigjet nevojës së kohës dhe të gjithë modernizmit të proceseve, sistemeve, ndërmarrjeve, por nga ana tjetër edhe me një synim parësor për uljen e nivelit të korrupsionit. Duke qenë se duke pasur sisteme të dixhitalizuara, ulet në minimum kontakti i qytetarëve që marrin shërbime me ata që i ofrojnë. Kështu që duke pasur këtë në mendje kemi nisur një rrugëtim të gjatë i cili sigurisht kërkon vëmendje, kërkon kapacitete njerëzore të përgatitura dhe mbi të gjitha kërkon një investim intensiv kapital nga Qeveria Shqiptare. 

Të gjitha këto tashmë qëndrojnë në të njëjtën linjë. Por nga ana tjetër dixhitalizimi i shërbimeve, dixhitalizimi i proceseve të administratës shtetërore, sigurisht rrit nivelin e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike. Dhe ka qenë korriku i 2022 i cili na tregoi fare mirë se çfarë impakti mund të ketë një sulm i mirë organizuar nga aktorë shtetërorë në goditjen e një vendi, të një vendi i cili ka vendosur që sot të dixhitalizojë një pjesë shumë të madhe të shërbimeve duke arritur rreth 90% në këtë moment.

Kemi identifikuar menjëherë problematikat, sigurisht me mbështetjen e partnerëve tanë pasi kanë qenë ata që na kanë udhëzuar dhe na kanë mbështetur në ato ditë të para shumë të vështira për ne, do të thoja ditë kaotike në verën e vitit 2022, dhe sigurisht së bashku me partnerët kemi arritur që të definojmë një program të mirëfilltë, një “road map”, e cila duhet zbatuar me përpikëri të lartë për të arritur një nivel sigurie kibernetike të kënaqshëm, ashtu siç i shkon një vendi europian, ashtu siç i shkon një vendi anëtar të NATO-s.

Ka qenë rrugë e vështirë. Ka qenë rrugë e vështirë për të bindur edhe partnerë të tjerë, siç është sektori privat. Na është dashur të bënim punë, dhe unë dua të falënderoj sot të gjithë përfaqësuesit e bankave që janë këtu dhe kanë nisur që të përformojnë me një nivel tjetër, por ama duhet të jeni të sinqertë me njëri-tjetrin, ka qenë pak e vështirë për ne, për Iglin, më është dashur dhe mua që të ulem në tryezë me drejtuesit e bankave që ne të shpjegonim sesa e rëndësishme ishte tashmë që të kishte një ndërveprim.

Siguria kibernetike nuk bëhet me ishuj të izoluar. Nëse vetëm administrata dhe Qeveria Shqiptare do të investonin në këtë drejtim dhe biznesi privat do të qëndronte jashtë do të ishte e pamjaftueshme. Siguria kibernetike është një element i cili tashmë duhet të përvetësohet nga secili prej nesh, jo vetëm në nivelin e biznesit, në nivelin e administratës publike, por edhe në nivelin personal përsa kohë nga moshat shumë të reja, për të mos thënë nga fëmijët e vegjël që ne e dimë të gjithë që nuk është mirë, por janë të ekspozuar ndaj teknologjisë, dhe deri tek moshat e treta, sot të gjithë kanë akses dhe të gjithë kanë bazuar kryesisht jetën e tyre mbi teknologjinë. Duke i bërë kështu të gjithë të prekshëm nga sulmet kibernetike. Edhe fëmijët tanë janë të prekshëm nga sulmet kibernetike, edhe të rinjtë, edhe të gjithë ata të rinj e të reja që sot po investojnë në dituritë e teknologjisë, pasi është e ardhmja dhe këtë nuk e mohon dot. E gjithë tërheqja që sot të rinjtë, të rejat apo dhe vetë bizneset kanë ndaj inteligjencës artificiale dhe gjithçka tjetër do të ndodhë në të ardhmen, kërkon një mbrojtje kibernetike të perfeksionuar që duhet të nisë nga edukimi i brezave të rinj, por edhe i atyre më në moshë, pasi është një sektor i ri, është një fushë e re, me të po njihemi të gjithë pak nga pak dhe deri tek nivelet më të larta të qeverisë, të institucioneve të pavarura dhe të biznesit privat padyshim apo të infrastrukturës kritike siç janë bankat apo edhe ato infrastruktura kritike që janë në posedim të shtetit shqiptarë siç është energjia, transporti dhe gjithçka tjetër. 

Sigurisht duhet thënë që ka pasur një ndryshim rrënjësor në më pak se dy vite. Është bërë një punë e mirë, siç thashë nga ACESK, është bërë një punë me themele. Ligji që përmendi Igli, të cilin ne e kemi kaluar në parlament, nëpërmjet të gjithë përcaktimeve të tij që ka të parashikuar, mundëson një mbrojtje më të mirë të infrastrukturës kritike po të vendosur tashmë në një kuadër ligjor, ku secili nga aktorët ka të qartë detyrimet dhe përgjegjësitë e tij ndaj sistemeve që posedon dhe sigurisht ndaj gjithë ekspozimit që mund ti vijë shoqërisë për shkak të pikave të dobëta në këto sisteme.

Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh që kriza kibernetike e cila përbën dhe eskalimin më ekstrem të një incidenti kibernetik kërkon, siç thashë, bashkëpunim të të gjithë sektorëve, të të gjithë aktorëve, të të gjithë shoqërisë dhe ashtu siç Qeveria ka vendosur një fokus të veçantë duke destinuar buxhete të veçanta për zhvillimin e mburojave kibernetike, për zhvillimin e të gjitha hapave që duhet të hidhen në të ardhmen. Kështu duhet të jetë edhe proceset e bizneseve private në secilën fushë ku ato operojnë, për të pasur një koordinim të përgjithshëm. Korniza ligjore e qartë tashmë i jep mundësi të gjithë aktorëve që të njohin rolet e tyre, por çka është më e rëndësishme dhe çka do t’ju kërkoja unë sot do të ishte që ti facilitonim punën ACESK-ut.”, tha Balluku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!