Në mbylljen e fushatës në Tiranë, kryesocialisti Rama bëri një analizë të mandateve të memorandimit II të Kucit, ku firmosi se PS lëviz mes 78 dhe 88 mandateve.
“Ky është bllof”, “ky është truk”, “kjo eshte propaganda” – thanë disa duke komentuar memorandumin e Kuçit dhe pyetja ime është “po pse nuk qenka e vertete apo të paktën në mos e vërtetë pse nuk qenka e mundshme?
Ne kemi sot 74 mandate apo jo. A di kush të ma thotë ku, në cilin qark, pse ne do ta humbim një nga këto 74 mandate? Në Kukës, në mos e marrshim dhe një tjetër. Nuk kanë si na e marrin atë një që kemi apo jo? Se nuk i lejon aritmetika është problemi, aritmetika që unë kam mësuar në liceun Artistik, jo ajo 7×7=6 milionë apo ajo “50 mijë ranë në 60 mijë”.
Në Shkodër kemi tre mandate nga 11 që ka Shkodra, më pak nuk ka ku të shkojë. Pse do ta humbim dhe një tjetër apo mos vallë “Kryetari i Bashkisë antikomunisti lëkurë gri, Bardh hardhuca, ai që mundi Benet Becin, dy vjet më parë po e transformon Shkodrën nga një vend plehrash, ferrash dhe plehrash të mbledhura në tre dekada qeverisje të PS për Shkodrën, në një vend të denjë për vizionin europian të demokratëve dhe për statusin e kryeqytetit të veriut”.
Pra, unë them se me çfarë kemi bërë dy vjet për Shkodrën bashke më Benetin është fare normale që të pretendojmë minimumi një mandat plus dhe pse të gjitha sondazhet thonë dy.
Vazhdojmë në Lezhë. Tre mandate nga 7. Që ta humbim dhe një tjetër duhet që Lezha të dielën të gdhihet me bindjen se ndryshimet e mëdha në Lezhë, rilindja e Laçit pas tërmetit janë meritë e vjershëtorit personal të bufit të kënetës, kryebashkiakut faqekuq kameleon Gjekmarkaj. Kjo zor të ndodhë, por më e mundur është të ndodhë që “kameleon vjershëtori” ta humbë një mandat dhe ta marrim ne. Megjithatë nuk e llogaris këtë te minimumi, ta shohim.
Në Durrës kemi 8 mandate dhe mund të humbin një vetëm nëse njerëzit tani në fund do kuptojnë se fuqia e vërtete e ndryshimit të Durrësit, është kryebashkiaku “dyll i verdhë, Oerd gjinkalla”, i cili e ka kthyer Durrësin në kantier nga të katërta anët me mbushjen e veçantë të SHQUP-it dhe nën ku kujdesin e atit të tij shpirtërore bufit të kënetës. Shkurt 8 mandate në Durrës janë një mur që nuk i lëviz dot as topi, ndërkohë që tulla e gjashtë, e kënetës është duke rënë, ta shohim.
Mandati i 9-të i Elbasanit na shpëtoi për një fije para 4 vjetësh. Prandaj nëse zgjedhësit atje nuk do ta marrin vesh deri të dielën, që edhe Formula 1 do ta sjell në Elbasan, pasardhësi i Luciano fake Pavarotti, Ludovik Bej Alizoti, atëherë edhe një plus në Elbasan hynë pa asnjë zor tek minimumi ynë i 11 majit. U bënë dy!
Njëjtë edhe Fierin, nëse fierakët nuk do ia dinë për nder kënetës, që i shpëtoi nga kanceri i Gjanicës, Gazi i botës atje nuk ka asnjë shans ta ndalojë mandatin e 10-të që kthehet në shtëpinë tonë. U bënë tre apo jo?
Në Berat, Korçë, Gjirokastër, nuk i lëviz topi mandatet tona. Në Vlorë, jo e jo, ku mund të ta marrim të 9-in. Po prapë i 9 i Vlorës nuk hyn tek minimumi, se minimumet tona janë llogari 100 % të sigurta, siç ishte 74 në zgjedhjet e kaluara, që rezultoi fiks minimumi i llogaritur.
Prandaj, të katërtin plus që na çon në 78 minimumi, ne do ta marrim në Dibër, ku gra, vajza, burra dhe djem të Dibrës do të bëhen për herë të parë në një palë zgjedhje politike shumicë shumë bindëse për Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Tani disa çyrykë nga ata të berberhaneve mediatike, ku të vërtetat “rruhen dhe qethen” sipas orekseve interesave dhe truri i tyre të dhjamur, siç do ta quante Majakovski, thonë: Rama i bën llogaritë me votat që blen, sepse sipas tyre këtu s’ka zgjedhje për sa kohë fiton PS-ja e Ramës, por ju, unë, të gjithë ne njerëzit e pararojës së kësaj armate të pandalshme elektorale dhe zëdhënësit e kësaj fuqie të pakonkurrueshme qeverisëse e dinë shumë mirë se ne nuk na ka mundur, nuk na mundn dhe nuk do të na mund dot askush për sa kohë do të sigurohemi të kemi me vete vizionin më modern dhe ambicien më të madhe për Shqipërinë, forcën më të madhe udhëheqëse dhe eksperiencën më të madhe qeverisëse, vendosmërinë më të madhe për ndryshim dhe nevojën më të pandashme për vetë ndryshim. Ne jemi bartësit e palëkundur të shpirtit europian të Shqipërisë në jetën politike shqiptare dhe për sa kohë ne do mbetemi të tillë, asgjë dhe askush nuk do ta ndalë dot ngjitjen tonë me Shqipërinë në krahë në Bashkimin Europian.” tha Rama./abcnews.al