Një pikë me shumë vlera për Skënderbeun, që pasi ndali Partizanin në Korçë bëri të njëjtën gjë edhe me Laçin në transfertë. Trajneri Migen Memelli sigurisht që është i kënaqur me lojën dhe rezultatin e skuadrës së tij. Pas ndeshjes, në emisionin “Gol pas Goli” ai u shpreh:
“Dua t’i komplimentoj të dyja skuadrat për lojën fair dhe korrekte. Kam qenë 7 javë trajner i Laçit, ekziston respekti dhe mirënjohja mes nesh. Ne bëmë një ndeshje të jashtëzakonshme. Patëm rastet tona, nuk i shfrytëzuam, por edhe Laçi pati rastet e veta. Barazimi ishte më i drejti, urime për në vazhdim skuadrës së Laçit.
Portieri? Rexhepi është një portier i jashtëzakonshëm, shumë i mirë. Edhe Dajsinani është një portier shumë i mirë, por kemi zgjedhur Rexhepin. Skuadra luajti në bllok, i lamë pak hapësira kundërshtarit. I thashë djemve që jemi krenar për ta, për djersën që po derdhin.
Po e duan më shumë veten e tyre, të gjithë po i përkrahim, qyteti, tifozët, presidenti dhe unë. Kur kemi ngrohtësi gjenerale dhe e ndajmë siç duhet, gjithçka ecën për mrekulli. Nuk do të them asnjë fjalë për mbijetesën derisa matematika të na mbajë në lojë“, deklaroi Memelli. /abcnews.al