Skënderbeu humb kështu një tjetër “finale” mbijetesë, ndërsa këtë herë është mposhtur nga skuadra e Kastriotit, me rezultatin 1-0.
Një humbje kjo që i pozicionon korçarët në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit, ndërsa vështirësohen akoma më shumë detyrat e tyre për të mbijetuar në superligë.
Pas ndeshjes trajneri Migen Memelli pranon situatën e vështirë dhe gjithashtu edhe tensionin që ka përfshirë skuadrën, teksa nuk ngurroi të shpjegojë edhe atë që ndodhi para fillimit të ndeshjes.
“Erdhëm këtu për të luajtur finalet e radhës, pasi ka edhe shumë të tilla deri në fund të sezonit. Për shkak të rëndësisë së ndeshjes, u rreshtuam mirë mbrapa, për të përballuar agresivitetin dhe forcën fizike të kundërshtarit. Për fat të mirë e interpretuam mirë ndeshjen dhe nuk vuajtëm, por u ndëshkuam nga ai episod i autogolit, që vendosi edhe fatin e takimit. Megjithatë duhet të shohim përpara, pasi ka edhe shumë ndeshje, duke nisur nga e radhës ndaj Dinamos.
Episodi i fillimit të ndeshjes duhej evituar nga të dy skuadrat, por ne e dimë ambientin këtu si funksionon. Më pas arbitri mori një vendim që e gjykoi të drejtë dhe duhej të vijonim lojën. Zguro e Bajrami janë mungesa që peshojnë, por ne gjithmonë kemi pasur lojtarë jo të disponueshëm, pasi sot nuk kishim Meksin e Vitijën. Mungesat kanë ndikuar jo pak në ecurinë e skuadrës, por shpresoj që sa më shpejt të kompletojmë grupin dhe të shohim përpara.
Para ndeshjes ndodhi ajo, që Bajrami u godit me grusht dhe më pas morën kartonin e kuq të dy. Unë nuk kam frikë ta them të vërtetën. Sa i përket Zguros, duhet të qetësohet disi dhe të ulë temperamentin, pasi kjo sjellje nuk nderon as atë dhe as skuadrën. Gjithsesi edhe vetëm me të verdhë sot, ai do të mungonte ndaj Dinamos, pasi plotësoi numrin.
Duhet të them se edhe portieri nuk po luan mirë, nuk është në ditët e tij më të mira dhe kjo po na penalizon. Megjithatë sot u ndëshkuam nga një episod për të cilin nuk mund të fajësoj askënd, ndaj duhet të shohim për të bërë maksimumin në ndeshjen e radhës”, u shpreh Memelli. /f.a/abcnews.al