Ardian Mema do të vazhdojë të drejtojë Tiranën. Trajneri drejtoi bardheblutë në seancën e sotme stërvitore dhe më pas u ndal të fliste për mediat. Ai theksoi mes të tjerash se nuk është koha të largohet dhe se askush nuk i ka kërkuar të dorëhiqet.
“Vazhdoj të jem te Tirana, pavarësisht lajmit të disa portaleve për klikime. Ecuria e skuadrës nuk është më e mira dhe kjo ka nxitur shumë zëra. Prandaj edhe presidenti erdhi sot pranë skuadrës për të konfirmuar ata që thashë”, tha Mema.
“Askush nuk më ka kërkuar të largohem dhe vazhdoj punën, pasi jemi ende brenda objektivave. Natyrisht që jam disi i zhgënjyer, sepse tani duhej të kishim 15 apo 16 pikë dhe të renditeshim të parët”, shtoi trajneri i Tiranës.
“E kam menduar doreheqjen? Natyrisht që çdo trajner në kokën e tij i mendon ndonjëherë këto gjëra, e mendon nëse janë kushtet për të vazhduar punën e tij. Është shumë herët për të folur për dorëheqje. Nuk është se ma ka kërkuar kush. Megjithatë unë e ndjej që ekipin e kam në krah dhe mund të vazhdojme drejt objektivave. Është e qartë se puna e çdo trajneri matet me rezultatet dhe ato i largojnë”, deklaroi Mema. /abcnews.al