Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema komentoi situatën në Lindjen e Mesme, me një armëpushim 2 javor dhe një plan me 10 pika.
Mema u shpreh skeptik për armëpushimin duke thënë se do të rikthehemi sërish në konflikt dhe se Izraeli dhe vendet arabe do të kenë diçka për të thënë.
“Mendoj që do rikthehemi sërish në një konflikt brenda disa ditësh, nëse shihet edhe gjuha e 10 pikave SHBA ka një kuptim tjetër nga Irani.
Iranianët sillen sikur kanë fituar luftën, ky armëpushim nuk do jetë afatgjatë sepse janë interesat e vendeve të tjera. Izraeli dhe vendet arabe do të kenë diçka për të thënë.”
Eksperti Redjon Qirjazi tha se Irani kaloi pritshmëritë e SHBA dhe se ky i fundit ka humbur shumë kredibilitet në arenën ndërkombëtare. Qirjazi shtoi më tej se plani me 10 pika nuk do të ketë jetëgjatësi.
“Nëse Trump do të kishte të tijën, do të preferonte luftën. Ka ndodhur një detyrim për t’u ulur në tryezën e diplomacisë, SHBA ka kuptuar se ka humbur shumë kredibilitet globalisht, u vendosën shumë fraksione dhe fërkime me vendet e NATO-s dhe Europa ndërkohë përpiqet të gjejë një zgjidhje për të shmangur prezencën në këtë konflikt.
Irani i tejkaloi pritshmëritë e tyre, ishte një kafshatë më e madhe se ç’mund të përtypej. Që në fillim të këtij plani 10 pikësh të dyja e dinin që nuk do kishte jetëgjatësi. Fuqia më e madhe e tyre nuk do ishin armët bërthamore. Autoriteti i hegjemonit bie kur nuk ka aftësi të zgjidhë situatën dhe kur ikën mbështetja ndaj tij.”


