Meloni: Nuk do të lejoj që Italia të bëhet kampi i refugjatëve të Evropës

schedule15:36 - 20 Shtator, 2023

schedule 15:36 - 20 Shtator, 2023

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se “Italia është nën presion të jashtëzakonshëm” për shkak të flukseve migratore që janë shtuar në ishullin Lampedusa.

Më shumë se 11,000 njerëz mbërritën në Lampedusa vetëm javën e kaluar, ndërsa më shumë se 127,000 emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur në Itali që nga fillimi i vitit, më shumë se dyfishi i numrit në të njëjtën periudhë në 2022.

Kryeministrja italiane deklaroi nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se nuk do të lejojë që vendi i saj të bëhet “kampi i refugjatëve të Europës”.

Shumica e migrantëve dhe refugjatëve që mbërrijnë në Lampedusa dërgohen në qendrat e emigrantëve në Siçili, të cilat tashmë janë të mbipopulluara.

Shumë, tentojnë të lëvizin në veri dhe të arrijnë kufirin me Francën, e cila ka forcuar kontrollet kufitare kohët e fundit, për shkak të flukseve drejt Italisë.

Gjatë një vizite në Lampedusa të dielën e kaluar, Giorgia Meloni paralajmëroi se “e ardhmja e Evropës do të jetë në rrezik” nëse vendet e BE-së dështojnë të punojnë së bashku për të gjetur “zgjidhje serioze” në frontin e migracionit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!