Meloni në Bruksel: Çmontojmë një narrativë që është krijuar për qeverinë italiane, ne nuk jemi marsianë

schedule20:13 - 3 Nëntor, 2022

schedule 20:13 - 3 Nëntor, 2022

Nga Erisa Zykaj

Vizita e parë në institucionet europiane e kryeministres së Italisë, Georgia Melonit është pritur me shumë interes për narrartivën e krijuar mbi qeverinë e re në Itali dhe shpalosjen e vizionit të qeverisë së re italiane në një kohë krizash me të cilat përballet Bashkimi Europian.

Kryeministrja e Italisë është takuar me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe më pas me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe komisionerin Paolo Gentiloni. Në përfundim të takimit me Charles Michel, kryeministrja Meloni ka dhënë një prononcim për mediat.

“Njoh personalisht Roberta Metsola dhe Paolo Gentiloni, po jo të dy interlokutorët e tjerë. Pata një shkëmbim njerëzor të sinqertë dhe pozitivë me ta. Jam e kënaqur për atmosferën që gjeta në Bruksel. Takimi ballë për ballë ndihmon për të çmontuar një narrativë që është krijuar për qeverinë italiane. Ne nuk jemi marsianë, jemi persona me mish e shpirt”, është shprehur kryeministrja e Italisë.

Ajo është ndalur shkurtimisht te qëndrimi i Italisë në bashkëpunimin e vendit me institucionet europiane dhe shtetet anëtare për të përballur sfidat me të cilat përballet Europa.

“Fokusi kryesor ishte kriza nw Ukrainë dhe nevoja për të konkretizuar sa më shpejt një zgjidhje europiane për t’u përballur me rritjen e çmimit të energjisë,  si dhe për tavanin e çmimit të gazit. Në samitin e fundit të liderëve europianë janë bërë hapa të mëdha përpara dhe tani është momenti për t’i konretizuar ato”, ka deklaruar kryeministrja Meloni.

Ajo është shprehur, se në takimin me liderët e institucioneve europiane është folur për rimëkëmbjen ekonomike, rritjen e çmimeve të lëndëve të para, inflacionin dhe mënyrën se si mund të shfrytëzohen në mënyrë sa më efektive burimet e brendshme për t’u përballur me krizën energjitike.

Kryeministrja Meloni është shprehur e kënaqur me mbështetjen që ka marrë kërkesa e Italisë për forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së: “Fluksi i migrantëve është një çështje me rëndësi të veçantë dhe shumë e djeshme për Italinë., Për ne bëhet fjalë për një prioritet, që tashmë është kthyer në prioritet europian: mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së. Gjeta vëmendje për këtë » ka shtuar kryeministrja e Italisë.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!