Meksikë, toka vazhdon të dridhet nga lëkundjet sizmike

schedule12:58 - 22 Shtator, 2017

schedule 12:58 - 22 Shtator, 2017

Një tërmet i magnitudës 5.5 i shkallës rihter ka risjellë frikën në Meksikë. Ndërkohë, bilanci i viktimave është përkeqësuar duke shkuar në 268 të vdekur. Pavarësisht kohës, ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë nën rrënoja.
Toka është lëkundur përsëri në Meksikë. Mëngjesin e së premtes një tërmet me magnitudë 5.5 i shkallës rihter me epiqendër në El Dorado, ka risjellë frikën. Bashkë me lëkundjet e reja është rritur edhe numri i viktimave. Zyrtarisht numërohen 268 të vdekur ndërsa qyteti më i prekur është ai i Meksikos me 148 viktima.
Ekipet e shpëtimit, civilë, ushtarakë dhe vullnetarë, vazhdojnë pa pushim kërkimet në ndërtesat e shembura. Por sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, deri në 72 orë mund të gjenden persona të gjallë nën rrënoja. Tashmë këto 72 orë kanë kaluar dhe shpresat për të gjetur të mbijetuar sa vijnë e shuhen. Deri më tani ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat 53 persona të gjallë. Ndërsa është përgënjeshtruar lajmi se është gjetur një fëmijë i gjallë nën rrënojat e shkollës Enrike Rebsamen.
Në shembjen e kësaj ndërtese humbën jetën 21 fëmijë dhe 5 të rritur.
Presidenti meksikan ka përgëzuar punën e ekipeve të shpëtimit. “Prioritet mbetet akoma shpëtimi i qytetarëve dhe ndihma mjekësore ndaj atyre që kanë nevojë”, u shpreh Pena Njeto duke falenderuar liderët botërorë për mesazhet e ngushëllimit. Ndërsa më tej kreu i shtetit nënvizoi se kundërpërgjigja ndaj tërmetit do të bëhet në 3 faza: mbështetja ndaj viktimave, regjistrimi i dëmeve dhe rindërtimi i godinave.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!