Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador tha se nuk kanë lejuar përdorimin e hapësirës së tyre ajrore nga SHBA-ja e cila kërkoi leje për të kërkuar balonën spiune për të cilën pretendonte se vjen nga Azia.
“Pentagoni kaloi në komunikim me ministrin tonë të Mbrojtjes me qëllimin për të theksuar se dëshirojnë të hyjnë në hapësirën tonë ajrore me mjete ajrore pa pilot për të ndjekur balonën spiune e cila ishte duke hyrë në hapësirën ajrore të vendit nga Hawaii. Ata thanë se ishin të sigurt që balona vinte nga ana e Azisë”, deklaroi Obrador në një konferencë për media, raporton Anadolu Agency.
Presidenti meksikan më tej tha: “Përgjigjja jonë ishte ‘jo’, nuk mund të hyni. Nuk lejojmë që dronët dhe avionët të hyjnë në hapësirën tonë ajrore”.
“Zyrtarët e Shërbimit të Aviacionit Civil Meksikan nuk identifikuan balonën spiune për të cilën SHBA-ja pretendon se kishte fluturuar drejt qytetit Manzanillo në perëndim të vendit në orën 03:00 sipas kohës lokale”, tha Obrador duke tërhequr vëmendjen se qeveria e SHBA-së nuk ka siguruar informacion shtesë lidhur me situatën e balonës.
Ai vuri në dukje se marrëdhëniet mes Meksikës dhe SHBA-së bazohen në bashkëpunim dhe jo në “bindje” dhe “nënshtrim”. Presidenti i Meksikës, Obrador më 18 prill akuzoi SHBA-në për ndërhyrje në punë e brendshme dhe aktivitete spiunazhin në vendin e tij.
Obrador pretendon se informacioni lidhur me akuzën për kontrabandën në sasi të mëdha të fentanilit në SHBA kundër 28 anëtarëve të kartelit Sinaloa u mor në Meksikë nga anëtarët e inteligjencës amerikane.