Ka luajtur në pesë ndeshje. Ka një kontribut madhështor dhe skuadra e tij, Bristol Siti, ka mundësi të ëndërrojë Premier Ligën.
Anis Mehmeti është futbollisti shqiptar më në formë për momentin, ndoshta duke lënë mënjanë Mirlind Dakun, dhe kjo fundjavë I vuri vulën.
Njëzetekatërvjeçari ishte më I miri I ndeshjes që Bristol Siti e fitoi në fushën e Shefild Uensdit me shifrat 3-0.
Krijoi golin e parë, duke detyruar autogolin, shërbeu shkëlqyeshëm të dytin dhe realizoi vetë të tretin. A mund të kërkonte më shumë e pyeti gazetarja e klubit?
“Jo, nuk mund të kërkoja më shumë se kaq. Fituam 3-0, morëm tri pikë jashtë fushe. Një rezultat shumë I mirë. Mendoj se unë dhashë dy asiste, ndonëse goli I parë u dha autogol. Unë jam në ekip që të krijoj gola dhe që të shënoj gola. Vitin e kaluar nuk krijova aq shumë sa duhej, ndaj unë kam punuar për ta përmirësuar këtë. Jam I lumtur me tri pikët. Natyrisht, unë synoj të shënoj më shumë se 12 golat që realizova vjet. E dimë se ç’mund të bëjmë si ekip, e dimë ku duam që të shkojmë dhe nga ana individuale duam të bëjmë më shumë. Dua të shënoj më shumë, por edhe të jap më shumë asistë”, tha futbollisti.
Në pesë ndeshje në Championship, padyshim një kampionat tepër i fortë në Angli dhe në Europë, Mehmeti ka 3 gola dhe dy asistë.
Ka qenë më i miri për Bristol Sitin, duke e ndihmuar ekipin që të jetë në vendin e tretë në renditje, pra në garë të plotë për t’u ngjitur në Premier Ligë.
Gjithsesi, e gjitha kjo nuk ka mjaftuar për ta bindur trajnerin Silvinjo që ta marrë në kombëtare, edhe pse luan 100 për qind titullar, ka 98 për qind të minutave, dhe merr pjesë në 42 për qind të golave të skuadrës./abcnews.al

