Mehmeti: Me Kukësin ndeshje e vështirë, Matondo bën diferencën, Kallaku ka karakter të fortë

schedule12:53 - 2 Maj, 2022

schedule 12:53 - 2 Maj, 2022

Partizani do të përballet me Kukësin në “Kukës Arena” ditën e nesërme në orën 16:45, takim i vlefshëm për javën e 32-të të Abissnet Superiore.

Një ndeshje e luftuar pritet të jetë mes demave dhe verilindorëve, të cilët kanë të njëjtën kuotë pikësh, teksa ndajnë vendin e 3-të në klasifikim.

Në konferencën për shtyp, trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti ka analizuar këtë takim, teksa ka folur për disa çështje që kanë të bëjmë me futbollistët dhe gjendjen e skuadrës.

 “Përpos ndeshjeve që i kemi shumë të ngjeshura, është dhe një ndeshje që është shumë e rëndësishme. Skuadra shpenzoi shumë energji, sepse luajtëm me inferioritet numerik.

Megjithatë skuadra është përgatitur këto dy ditë, kemi dhe një seancë sot, që do të japim veprimet e fundit kundër Kukësit. Është një ndeshje që ka shumë rëndësi, megjithatë kemi punuar në aspektin psikologjik, që skuadra ta interpretojë ashtu siç duhet dhe mos të marrë më shumë ngarkesë seç duhet”.

“Unë mendoj që e kaluara nuk ndikon shumë. Varet nga mënyra se si do ta interpretojnë lojtarët, si do ta përjetojnë ata. Mendoj se në këtë aspekt jemi të barabartë. Ata luajnë në shtëpinë e tyre, në një stadium të ri, kanë entuziazmin e tifozerisë. Shpresoj që edhe tifozët tanë të na mbështesin.

Mendoj se do jenë shumë faktorë që do të ndikojnë nesër dhe do të jetë një histori ndryshe. Unë mendoj që skuadra ka treguar forcë karakteri në shumë ndeshje. Të gjitha skuadrat që janë në garë, e kanë presionin. Kush do ta menaxhojë më mirë, ajo skuadër do të bëjë diferencën”.

“Matondo? Është një nga lojtarët që në pozicionin e tij bën diferencën. Normalisht që është një lojtar që, me atë që ka dhënë, ka treguar respekt kundrejt shokëve dhe gjithë opinionit. Megjithatë skuadra e Partizanit ka shumë lojtarë. Edhe ata që do ta zëvendësojnë do të bëjnë shumë mirë. Loja e Partizanit është e fokusuar në lojën e grupit, jo të individit”.

“Vendi i tretë? Më shumë përpiqem që ta përgatis skuadrën dhe mos t’i jap presion për sa i përket renditjes. I jap rëndësi ndeshjes së radhës sepse është shumë e rëndësishme, që lojtarët të fokusohen te stërvitja dhe të mos bëjnë plane afatgjata. Mundohemi të interpretojmë lojën në varësi të kundërshtarit. Futemi për të fituar në çdo ndeshje, kundër çdo kundërshtari. Duhet ta kuptojmë që skuadra e Partizanit është e ndërtuar e tillë, e ka bërë vetë historia që ta kërkojë gjatë gjithë kohës fitoren”.

“Kallaku? Kjo më pëlqen sepse ka karakter, nuk e pranon ndërrimin. Është gjaknxehtë sepse nuk e kupton ndërrimin. Një trajner mund ta dojë ndërrimin sepse mund të ketë qenë një lëvizje taktike, mund ta dojë ndërrimin sepse nuk ka bërë urdhrat që i kam dhënë, mund ta bëjë ndërrimin sepse mund të mos ketë qenë në formën e tij më të mirë. Kallaku e bëri atë, kërkoi falje dhe unë përsëri e kam falur”.

“Skuka? – Është hera e parë që prezantohet në Superiore, me një emër të madh si Partizani. Duhet ta kuptojmë dhe Skukën. Ka nevojë për eksperiencë, këto situata i bëjnë mirë. Mbas ndeshjes së Kupës me Vllazninë ai e ka ndjerë shumë peshën e humbjes së penalltisë. Jam munduar në maksimum që t’ia ngrejë entuziazmin, është një djalë me karakter. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!